Mbahet ceremonia solemne në shënim të nisjes së Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe në shënim të 60-të vjetorit të Gjykatës Supreme

Mbahet ceremonia solemne në shënim të nisjes së Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe në shënim të 60-të vjetorit të Gjykatës Supreme

Prishtinë, 23 qershor 2024 – Është mbajtur ceremonia solemne në shënim të nisjes së Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe në shënim të gjashtëdhjetëvjetorit të themelimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka mbajtur një fjalë rasti duke elaboruar rolin e gjyqësorit ndër vite në përballjen dhe tejkalimin e sfidave të kohës.  

“Populli i Kosovës nuk e ka pasur të lehtë pas përfundimit të luftës së dytë botërore, ai është përballur me mohimin e lirive dhe të drejtave elementare të njeriut, ndonëse ish Jugosllavia ishte nënshkruese e të gjitha traktateve ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, kjo nuk ishte e mjaftueshme, dhe të njëjtat të drejta dhe liri nuk janë respektuar në territorin e Kosovës. Por ky fakt nuk e ka dekurajuar asnjëherë popullin e Kosovës që të luftoj pa ndalur që të drejtat dhe liritë elementare të respektohen. Në vazhdën e këtij angazhimi është si rezultat edhe themelimi i Gjykatës Supreme të Kosovës në vitin 1964, në fillim vetëm si degë, dhe pastaj si Gjykatë Supreme e Kosovës, me të gjitha kompetencat brenda territorit të Kosovës”, pohoi kryetari Rexhepi duke shtuar se “themelimi i Gjykatës Supreme të Kosovës ishte reflektim i kërkesave të popullit të Kosovës, për liri dhe të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët, dhe shihej si garancë e respektimit të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat për popullin e Kosovës ishin të shkruara në letër, por jo të zbatuara në praktikë”.

Të mbledhur për të kujtuar këtë moment historik, kreu i Supremes, nënvizoi se “kujtojmë jo vetëm arritjet e gjertanishme, por edhe sfidat që na presin. Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, e karakterizuar nga sisteme ligjore në zhvillim të shpejtë dhe dinamika shoqërore komplekse, roli i gjyqësorit nuk ka qenë kurrë më vendimtar se sa sot. Prandaj, është përgjegjësi e jonë, si gardianë të drejtësisë, të sigurohemi që sistemet tona ligjore të mbeten të pavarura, transparente dhe të përgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve”, u shpreh kryetari Rexhepi.

Me një fjalë rastin, në këtë ceremoni është paraqitur edhe David Campbell, gjyqtar i lartë amerikan, i Qarkut, i cili përgëzoi Gjykatën Supreme të Kosovës për organizimin e kësaj Konference. Ai po ashtu, si përfaqësues i Institutit CEELI foli temat e Konferencës të cilat do të përfshijnë diskutimet e tetë delegacioneve nga vendet pjesëmarrëse nga gjykatat supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Kryetari Rexhepi ka falënderuar të gjithë anëtarët e konferencës dhe CEELI-in, për besimin e dhënë Gjykatës Supreme si nikoqire, për të organizuar këtë konferencë dhe veçanërisht USAID-in, INL-in dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës për mbështetjen e tyre.