Mbahet ceremonia solemne në shënim të nisjes së Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe në shënim të 60-të vjetorit të Gjykatës Supreme

Mbahet ceremonia solemne në shënim të nisjes së Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe në shënim të 60-të vjetorit të Gjykatës Supreme

Prishtinë, 23 qershor 2024 – Është mbajtur ceremonia solemne në shënim të nisjes së Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe në shënim të gjashtëdhjetëvjetorit të themelimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka mbajtur një fjalë rasti duke elaboruar rolin e gjyqësorit ndër vite në përballjen dhe tejkalimin e sfidave të kohës.  

“Populli i Kosovës nuk e ka pasur të lehtë pas përfundimit të luftës së dytë botërore, ai është përballur me mohimin e lirive dhe të drejtave elementare të njeriut, ndonëse ish Jugosllavia ishte nënshkruese e të gjitha traktateve ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, kjo nuk ishte e mjaftueshme, dhe të njëjtat të drejta dhe liri nuk janë respektuar në territorin e Kosovës. Por ky fakt nuk e ka dekurajuar asnjëherë popullin e Kosovës që të luftoj pa ndalur që të drejtat dhe liritë elementare të respektohen. Në vazhdën e këtij angazhimi është si rezultat edhe themelimi i Gjykatës Supreme të Kosovës në vitin 1964, në fillim vetëm si degë, dhe pastaj si Gjykatë Supreme e Kosovës, me të gjitha kompetencat brenda territorit të Kosovës”, pohoi kryetari Rexhepi duke shtuar se “themelimi i Gjykatës Supreme të Kosovës ishte reflektim i kërkesave të popullit të Kosovës, për liri dhe të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët, dhe shihej si garancë e respektimit të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat për popullin e Kosovës ishin të shkruara në letër, por jo të zbatuara në praktikë”.

Të mbledhur për të kujtuar këtë moment historik, kreu i Supremes, nënvizoi se “kujtojmë jo vetëm arritjet e gjertanishme, por edhe sfidat që na presin. Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, e karakterizuar nga sisteme ligjore në zhvillim të shpejtë dhe dinamika shoqërore komplekse, roli i gjyqësorit nuk ka qenë kurrë më vendimtar se sa sot. Prandaj, është përgjegjësi e jonë, si gardianë të drejtësisë, të sigurohemi që sistemet tona ligjore të mbeten të pavarura, transparente dhe të përgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve”, u shpreh kryetari Rexhepi.

Me një fjalë rasti, në këtë ceremoni është paraqitur edhe David Campbell, gjyqtar i lartë amerikan, i Qarkut, i cili përgëzoi Gjykatën Supreme të Kosovës për organizimin e kësaj Konference. Ai po ashtu, si përfaqësues i Institutit CEELI foli temat e Konferencës të cilat do të përfshijnë diskutimet e tetë delegacioneve nga vendet pjesëmarrëse nga gjykatat supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Kryetari Rexhepi ka falënderuar të gjithë anëtarët e konferencës dhe CEELI-in, për besimin e dhënë Gjykatës Supreme si nikoqire, për të organizuar këtë konferencë dhe veçanërisht USAID-in, INL-in dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës për mbështetjen e tyre.

Fjalimi i plotë i kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi:

E nderuar kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka Nimani

Të nderuar kryetarë dhe gjyqtarë të Gjykatave të respektuara Supreme të Çekisë, Sllovenisë, Polonisë, Shqipërisë, Lituanisë, Rumanisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë,

Të nderuar pjesmarrës të Institutit Ceeli-it, gjyqtarë të respektuar Amerikanë,  

I nderuari Jeffrey Apperson, nënkryetar i Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetërore (NCSC)  për Marrëdhëniet Ndërkombëtare,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve mike,

I nderuar Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Albert Zogaj

Të nderuar antarë të Këshillit, kryetarë, gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë vendorë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere,

Të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj,

Është nder dhe kënaqësi e veçantë t’jem sonte para jush, e t’i uroj mirëseardhje secilit nga ju, të mbledhur këtu për konferencën e 14-të, të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qëndrore dhe Lindore.

Mikpritja e kësaj konference nuk është vetëm një nder profesional, por edhe personal. Siç e dini, Kosova është një vend i ri me një histori të pasur dhe një kulturë të gjallë. Ne jemi një popull që ka parë transformime të mëdha, ashtu edhe sistemi ynë gjyqësor të cilin po përpiqemi të përmirësojmë çdo ditë. Është frymëzuese të shoh një grup kaq të shquar të mbledhur këtu sonte-udhëheqës që kanë kushtuar jetën e tyre në ushtrimin dhe vendosjen e drejtësisë dhe fuqizimin e institucioneve që mundësojnë këtë.

Ne sot po shënojmë fillimin e një takimi të rëndësishëm, të kësaj konference kushtuar nxitjes së bashkëpunimit juridik dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ligjore ndërmjet institucioneve gjyqësore vendore e ndërkombëtare, konferencë e cila po organizohet për herë të parë në Kosovë nga Gjykata Supreme e Kosovës, me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ne jemi falenderues për të gjithë anëtarët e konferencës dhe CEELI-in, për besimin e dhënë neve si nikoqir, për të organizuar këtë konferncë, ne po ashtu jemi falenderues për mbështetjen e dhënë në organizimin e kësaj konference nga të gjithë, dhe veçanarisht dua të falenderoj USAID dhe INL, dhe natyrisht Ambasadën Amerikane në Republikën e Kosovës, ndihma e të cilëve ka qenë thelbësore dhe na ka lehtësuar organizimin e Konferencës, në këtë rast shfrytëzoj rastin të falenderoj edhe stafin e Gjykatës Supreme dhe të Këshillit Gjyqësor të angazhuar me përkushtimin më të madh në organizimin e kësaj konference.  

Duke marrë shkas se këtë vit Gjykata Supreme e Kosovës, i bën 60 vite nga themelimi i saj, dua ta shfrytzoj rastin të them disa fjalë për historinë jo të largët të drejtësisë në Kosovë.

Populli i Kosovës nuk e ka pasur të lehtë pas përfundimit të luftës së dytë botërore, ai është përballur me mohimin e lirive dhe të drejtave elementare të njeriut, ndonëse ish Jugosllavia ishte nënshkruese e të gjitha traktateve ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, kjo nuk ishte e mjaftuesheme, dhe të njëjtat të drejta dhe liri nuk janë respektuar në territorin e Kosovës. Por ky fakt nuk e ka dekujaruar asnjëherë poullin e Kosovës që të luftoj pa ndalur që të drejtat dhe liritë elementare të respektohen. Në vazhdën e këtij angazhimi është si rezultat edhe themelimi i Gjykatës Supreme të Kosovës në vitin 1964, në fillim vetëm si degë, dhe pastaj si Gjykatë Supreme e Kosovës, me të gjitha kompetencat mbrenda territorit të Kosovës. Themelimi i Gjykatës Supreme të Kosovës ishte reflektim i kërkesave të popullit të Kosovës, për liri dhe të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët, dhe shihej si garancë i respektimit të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat për popullin e Kosovës ishin të shkruara në letër, por jo të zbatuara në praktikë.

Me themelimin e Gjykatës Supreme kishte një zhvillim të dukshëm në respktimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, edhe pse ne e dimë që në shtetet ish komuniste, asnjëherë nuk mund të flitet për pavarësi të gjykatave, dhe të gjyqtarëve në punën e tyre, dhe për respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut në frymen e plotë të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një kthesë jashtzakonisht për të keq është kur në vitet 90-ta, është suprimuar Autonomia e Kosovës, dhe ka filluar përndjekja e të gjithë shqiptarëve nga institucionet dhe vendet e tyre të punës, me këtë edhe të gjyqtarëve shqiptarë në të gjitha nivelet, duke mos përjashtuar edhe Gjykatën Supreme, e cila pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore në mënyrë të dhunshme ka pushuar së funksionuari, dhe kompetncat e saj janë bartur në Gjykatën Supreme të Serbisë.

Me përfundimin e luftës në Kosovë, në vitin 1999, dhe me instalimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është hapur një faqe e re në sistemin Juridik të Kosovës, dhe në vitin 2000, është funksionalizuar sistemi gjyqësor, e edhe Gjykata Supreme e Kosovës, si instanca më e lartë gjyqësore në vend, me juridiksion në tërë territorin e Kosovës.

Gjykata Supreme të Kosovës, në Kosovën e pasluftës ka shërbyer si tempull drejtësie, duke mbështetur parimet e drejtësisë, barazisë dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Pavarësisht sfidave, jo vetëm për gjyqësorin, por edhe për vetë qytetarët, gjyqësori nuk është ndaluur për asnjë moment duke punuar gjithnjë për një gjyqësor të pavarur, me intigritet dhe llogaridhënës, që siguron drejtësi e barazi për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.

Gjersa festojmë këtë përvjetor të rëndësishëm, le të ndajmë një moment për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë dhe falenderimin, për të gjithë ato gra dhe burra, që kanë kontribuar në suksesin dhe trashëgiminë e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe gjyqësorit të Kosovës në përgjithësi, gjatë 6 dekadave të fundit, si gjyqtarët, profesionistët ligjor, stafi mbështetës i gjykatës dhe gjithë të tjerët që ia kanë kushtuar jetën administrimit të drejtësisë dhe kanë punuar për të vendosur drejtësi në këtë vend.

Ndërsa, jemi mbledhur sonte këtu për të përkujtuar këtë moment historik, ne kujtojmë jo vetëm arritjet e gjertanishme, por edhe sfidat që na presin. Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, e karakterizuar nga sisteme ligjore në zhvillim të shpejtë dhe dinamika shoqërore komplekse, roli i gjyqësorit nuk ka qenë kurrë më vendimtar se sa sot. Prandaj, është përgjegjësi e jonë, si gardianë të drejtësisë, të sigurohemi që sistemet tona ligjore të mbeten të pavarura, transparente dhe të përgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve.

Mendoj dhe besoj, se si gjyqësor e tempull drejtësie, ne duhet të përshtatemi me realitetet e reja në fushën e drejtësisë, të përqafojmë inovacionin dhe të mbajmë standardet më të larta të integritetit dhe profesionalizmit, gjithnjë në të mirë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Dua po ashtu të ju siguroj se Gjykata Supreme e Kosovës, e vazhdon e palëkundur misionin e saj fisnik, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi, duke administruar drejtësinë në mënyrë të paanshme e të pavarur, për të mbështetur sundimin e ligjit, transparencën, llogaridhënien, zhvillimin dhe integrimin në mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare.

Kjo konferencë, ofron një mundësi unike për diskutim, bashkëpunim dhe shkëmbim idesh mes niveleve më të larta të udhëheqësve të gjyqësorit vendor e ndërkombëtar. Ky është një forum gjyqësor, ku së bashku, mund të reflektojmë mbi sukseset dhe dështimet e sistemeve tona të drejtësisë, të ndajmë praktikat më të mira dhe të përcaktojmë një rrugë drejt një të ardhmeje të përbashkët e prosperuese, ku sundon rendi e ligji dhe ku mbrohen të drejtat dhe dinjiteti i çdo individi, pa asnjë dallim.

Andaj, shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë kolegët, që t’i ri-përkushtohemi kauzës fisnike të drejtësisë, të udhëhequr gjithnjë nga vlerat e përjetshme të drejtësisë dhe respektit për shtetin e së drejtës.

Në fund të kësaj fjale solemne, ju lutem me lejoni edhe një herë t’ju falënderoj të gjithëve, e veçanërisht kolegët/miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët na kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre në këtë përvjetor dhe konferencë. U bëftë kjo konferencë një burim frymëzimi e njohurish në fushën e drejtësisë, teksa ne vazhdojmë rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë, për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ju faleminderit!