Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, të enjten është takuar me drejtorin e projektit EROL/USAID në Kosovë, z. Kelly Gavagan, me të cilin diskutuan për zhvillimet aktuale dhe aktivitetet në vazhdim, të kësaj organizate, në mbështetje të sistemit të drejtësisë në vend
Prishtinë, 18 dhjetor 2014 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, të enjten është takuar me drejtorin e projektit EROL/USAID në Kosovë, z. Kelly Gavagan, me të cilin diskutuan për zhvillimet aktuale dhe aktivitetet në vazhdim, të kësaj organizate, në mbështetje të sistemit të drejtësisë në vend.
Me këtë rast, z. Gavagan ka informuar kryetarin Hasani me ecurinë e projektit EROL, i cili është paraparë të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm, porse, janë në bisedime me USAID, për vazhdimin e projektit deri në korrik, me shpresë se projekti tjetër, për asistencë në fushën e sundimit të ligjit, të fillojë ndërkohë.
Z. Gavagan ka prezantuar një numër të aktiviteteve të projektit EROL, duke u fokusuar në çështjet e zvogëlimit të numrit të lëndëve të vjetra, ku janë arritur rezultate të mira në degën e gjykatës në Podujevë dhe në Gjykatën Themelore në Gjakove, ndërkohë që po punohet intensivisht në përmirësimin e gjendjen në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gavagan e ka njoftuar kreun e Supremes, se për Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë filluar me rekrutimin e stafit që do të merret me lëndët e pazgjidhura. “Fokusi do të jetë në lëndët më të vjetra se dy vjet”, ka specifikuar ai duke shtuar se tek disa lëndë, nevojitet vetëm edhe një veprim, dhe lënda përfundohet. “Në Prishtinë kemi 12 gjyqtarë civilistë dhe plani është që secili të ketë një bashkëpunëtor, ndërsa në shkrimore të jenë edhe dy asistentë ligjorë nga projekti”.
Në anën tjetër, kryetari Hasani, ka kërkuar që, meqë po formohet ky staf mbështetës për gjykatën, për të zgjidhur lëndët më të vjetra se dy vjet, gjatë këtij procesi të krijohet një raport për secilin gjyqtar civilistë, i cili raport evidenton se me çfarë lëndësh është marrë secili prej tyre dhe si i ka proceduar ato. Këtë kërkesë ai e ka shprehur, duke u bazuar në ankesat që i janë adresuar, sipas të cilave, gjyqtarët civilistë kanë zgjidh lëndë pa respektuar ardhjen e tyre në gjykatë, pa respektuar lëndët me prioritet, “por i kanë zgjidh lëndët, vetëm për të plotësuar normën”.
Gavagan ka pohuar se USAID ka një raport i cili specifikon se cilat lëndë qëndrojnë të pazgjidhura në gjykatë, sa kohë merr një rast që të përmbyllet, dhe se të njëjtin mund t’ia prezantojnë z. Hasani. Përfaqësuesi i USAID, pohoi se, bazuar në statistika, përqindja e numrit të lëndëve të pazgjidhura ka filluar të bie, por jo e lëndëve të vjetra.
Ndryshe, ai ka përmendur edhe angazhimin e tyre në ridizajnimin e bazës së të dhënave, për statistikat në gjykata, angazhim ky, përmes të cilit, po punohet në drejtim të eliminimit të gabimeve dhe posedimit të të dhënave të sakta.
Gjatë takimit u fol edhe për projektin, tashmë të përfunduar të gjykatave model, por Gavagan bëri me dije se po investojnë akoma në gjykatën në Vushtrri, sidomos në sallat e gjykimit.
Duke folur për hartimin e ligjeve për sistemin gjyqësor, amandamentimin e tyre, hartimin e rregulloreve të punës, kryetari Hasani ka ngrehur një varg shqetësimesh në këtë drejtim, duke vënë theksin në Rregulloren mbi Veprimtarinë e Brendshme të Gjykatave. Sipas tij, përpiluesit e asaj rregulloreje, nuk e kanë njohur shumë mënyrën e funksionit të sistemit gjyqësor, sepse kanë reduktuar dhe evituar shumë dispozita ligjore që gjyqtarëve po u paraqesin problem në punë.
“Rregullorja e re është hartuar me 55 nene, për dallim prej asaj të vjetrës, që kishte 415 nene. Janë eliminuar çështje shumë të rëndësishme sa i përket funksionimit të gjykatave”, ka nënvizuar i pari i Supremes duke përmendur si shembull praktikën në Gjykatën Supreme, e cila sipas rregullores së vjetër, ishte e krijuar për të mos lejuar dy vendime të ndryshme nga kolegjet e njëjta për çështjen e njëjtë. “Në këto raste, vendimi i tillë është kthyer në rivotim me qëllim të harmonizimit, ndërkohë që kjo është shmangur në rregulloren e re, ndonëse ne e aplikojmë ende, sepse nuk kemi alternativë tjetër”. Shembull tjetër, i dhënë nga kryetari ka qenë edhe ai në rastet kur lënda kthehet në rivendosje nga Apeli në gjykatë themelore. “Sipas rregullores së vjetër, afati i rishqyrtimit të lëndës ishte një muaj, pasi lënda e tillë konsiderohet lëndë në proces. Ndërkohë që tani, në Gjykatë Supreme, ka ardhur një ankesë që lënda e caktuar, nuk është rivendosur që nga muaji maj”. Me këta dhe shembuj të tjerë të prezantuar, kryetari, ka pohuar se është me rëndësi që gjatë hartimit të këtyre drafteve, akteve ligjore, të përfshihen gjyqtarët.
Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe çështje tjera me rëndësi, si trajnimi i bashkëpunëtorëve profesionalë të Gjykatës Supreme, ecuria e punës rreth portalit të ri gjyqësor, statistikat, sistemi i ri i bazës së të dhënave, nevoja për vazhdimin e mbështetjes së zyrës së Kryetarit etj., duke rënë dakord që të vazhdojnë bashkëpunimin në secilën sferë.