Prishtinë, 22 nëntor 2024 – Në një ceremoni solemne është lansuar Udhëzuesi i Përgjithshëm për Matjen e Dënimit, dokument i prodhuar nga Gjykata Supreme dhe Komisioni Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore, i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, OPDAT dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Gjatë ceremonisë, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Fejzullah Rexhepi falënderoi të gjithë kontribuesit e përfshirë në revidimin e këtij dokumenti, anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Gjykatës Supreme si dhe shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen e pakursyer të Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së OPDAT.
“Sot, me lansimin e këtij Udhëzuesi të Gjykatës Supreme, shënojmë një moment të rëndësishëm në sistemin tonë të drejtësisë. Ky dokument, i cili është rezultat i një pune të gjatë, reflekton angazhimin tonë për të siguruar një drejtësi të konsoliduar dhe një praktikë unifikuese, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi” u shpreh kreu i Supremes duke e cilësuar këtë udhëzues si një aset të vlefshëm për sistemin gjyqësor, përmes zbatimit të cilit, synohet jo vetëm forcimi i sundimit të ligjit, por edhe rritja e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, po ashtu mbajti një fjalë rasti: https://www.facebook.com/share/p/1NYGQuMeT3/
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, në fjalën e tij të rastit vuri theksin në rëndësinë e unifikimit të praktikës gjyqësore dhe rolin kyq që ka Gjykata Supreme në këtë proces, duke potencuar se ky Udhëzues do të bëhet pjesë e planit të punës së gjykatave për vitin 2025 dhe se zbatimi i tij do të përfshihet edhe në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve.
Ndërkaq, u.d. Kryeprokurori i Shtetit z. Besim Kelmendi potencoi rëndësinë e zbatimit të këtij udhëzuesi nga sistemi prokurorial, duke bërë me dije se në çdo rast kur ka takime me kryeprokurorë dhe prokurorë iu bënë thirrje që këtë udhëzues ta konsiderojnë si mjet më shumë vlerë për punën e tyre. “Mjet ky i cili mundëson zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe të balancuar, sepse çdo veprim i Prokurorit të Shtetit duhet të jetë në përputhje me parimet e drejtësisë, ligjet në fuqi dhe standardët e këtij udhëzuesi”, u shpreh u.d. kryeprokurori Kelmendi.
Gjyqtari i Gjykatës Supreme, njëherësh anëtar i Komisionit për Politikë Ndëshkimore, Agim Maliqi, para të ftuarve, ka elaboruar shkurtimisht përmbajtjen e Udhëzuesit, derisa ceremonia është përmbyllur me diskutime rreth zbatimit të Udhëzuesit dhe hapave që duhet të ndërmerren në këtë drejtim.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryetarë të gjykatave, kryeprokurorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë në vend.
Udhëzuesi i Përgjithshëm për Politikë Ndëshkimore është lansuar në vitin 2018 dhe në dy vitet e fundit ishte në proces të revidimit, për ta përshtatur me ndryshimet e Kodit të Ri Penal dhe atij të Procedurës Penale si dhe për ta kthyer në një dokument më lehtë të zbatueshëm nga ana e gjyqtarëve dhe profesionistëve tjerë të fushës. Pas revidimit, iu ndryshua edhe emërtimi në “Udhëzues i Përgjithshëm për Matjen e Dënimit”.
Udhëzuesin është i publikuar në ueb-faqen e Gjykatës Supreme në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe, derisa së shpejti do të publikohet edhe në gjuhën angleze: