Prishtinë, 06 qershor 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, i shoqëruar nga shefi i shtyllës së monitorimit, Giovanni Galzignato dhe monitoruesja nga njësia për monitorimin e rasteve, Anna Elisabeth Wollmer.
Gjatë këtij takimi, kryetari Rexhepi, në emër të Gjykatës Supreme, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e misionit të EULEX-it, me theks në gjetjet që kanë ofruar nga monitorimi i proceseve gjyqësore, të cilat kanë shërbyer për ndërmarrjen e hapave konkret me qëllim të rritjes së efikasitetit të sistemit gjyqësor.
Në anën tjetër, shefi i EULEX, Barbano potencoi gatishmërinë e misionit që drejton për të vazhduar bashkëpunimin me sistemin gjyqësor duke ndihmuar kështu në forcimin e sundimit të ligjit dhe zbatimin e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Në kuadër të këtij takimi, bashkëbiseduesit diskutuan edhe për sfidat aktuale me të cilat po përballet sistemi i drejtësisë, politikën ndëshkimore, kthimin e rasteve në rigjykim, ndryshimet që do të përfshijë rregullativa ligjore lidhur me vlerësimin e performancës së gjyqtarëve, gjetjet e EULEX-it nga monitorimi i rasteve gjyqësore etj..