Kryetari Rexhepi në Konferencën e KE-së, flet për rolin e gjyqësorit në mbrojtje të të drejtave të njeriut

Kryetari Rexhepi në Konferencën e KE-së, flet për rolin e gjyqësorit në mbrojtje të të drejtave të njeriut

Prishtinë, 23 prill 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, po merr pjesë në Konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës me titull: “Roli i Gjykatave Kombëtare në Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”, në kuadër të projektit për mbështetje të Gjykatës Kushtetuese, në zbatimin dhe përhapjen e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari Rexhepi vuri në pah rolin e institucioneve të autorizuara nga Kushtetuta e Kosovës, në këtë rast edhe rolin e gjyqësorit, “për të përmbushur me kompetencë detyrën e shenjtë që ka, në funksion të vendosjes se një standardi të mirëfilltë e të besueshëm për qytetarët, për sa i përket të drejtave të njeriut”.

Sipas kreut të Gjykatës Supreme, roli i gjykatave kombëtare, përpos në konfirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, është një faktor determinues dhe i një rëndësie të veçantë edhe në emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë, nisur nga fakti që gjyqësori ka rol vendimtar në vendosjen, respektivisht konfirmimin e parimeve kushtetuese lidhur me të drejtat e njeriut.

Kryetari Rexhepi foli hapur për sfidat me të cilat përballet aktualisht sistemin gjyqësor, duke vënë theksin në numrin e madh të lëndëve në pritje, që cenon rëndë parimin e zgjidhjes së çështjeve brenda afateve të arsyeshme kohore, por që theksoi angazhimin e fuqishëm në koordinim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës në drejtim të zbatimit të Planeve Strategjike, me qëllim që përmes realizimit të këtyre planeve të përmbushet obligimi për gjykim në kohë të arsyeshme, i paraparë me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Në fjalën e tij, kryetari shpalosi kompetencat më të rëndësishme të Gjykatës Supreme në nxjerrjen e mendimeve juridike, udhëzuesve dhe qëndrimeve parimore në funksion të unifikimit të praktikës gjyqësore si dhe shprehu bindjen që në maj të këtij viti do të realizohen pritjet që Kosova të pranohet anëtare e Këshillit të Evropës. Pranimi në KE, dhe e drejta e Kosovës për të qenë palë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ), sipas kryetarit Rexhepi, do të kenë rol tejet të rëndësishëm, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, njëherazi edhe në ngritjen e cilësisë së vendimmarrjes nga gjykatat vendore, lidhur me të drejtat e njeriut.

Kjo konferencë njëditore, përveç kryetares e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka mbledhur rreth vetës përfaqësues të lartë të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, përfaqësues të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të ftuar të tjerë nga vendet e rajonit dhe më gjerë.