Vlerësimi i sektorit të drejtësisë në fokus të takimit të kryetarit Rexhepi me përfaqësues të INL-së

Vlerësimi i sektorit të drejtësisë në fokus të takimit të kryetarit Rexhepi me përfaqësues të INL-së

Prishtinë, 13 mars 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim ekipin për vlerësimin e sektorit të drejtësisë, INL nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Michael Wasco, këshilltar i lartë ligjor dhe Dafina Bardhi Rexhepi, specialiste e programit INL.
Kryetari Rexhepi vlerësoi lartë mbështetjen e pakursyer të Ambasadës Amerikane në forcimin e sistemit të drejtësisë, derisa mirëpriti gatishmërinë që kjo mbështetje të vazhdoi në tejkalimin e sfidave aktuale.

Kreu i Supremes vuri theksin në unifikimin e praktikës gjyqësore, në politikën ndëshkimore si dhe në forcimin e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies dhe kontrollit si tri nga prioritetet kryesore të gjyqësorit.

Në anën tjetër z. Wasco i konsideroi të një rëndësie thelbësore iniciativat e Gjykatës Supreme dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme në sistemin e drejtësisë.

Programi për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) në Kosovë punon në forcimin e sundimit të ligjit dhe fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë, si dhe në njohuritë e publikut për të drejtat e tyre dhe qasjen në drejtësi.