Po mbahet takimi trilateral mes gjykatave supreme të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi

Po mbahet takimi trilateral mes gjykatave supreme të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi

Prizren, 15 shkurt 2024 – Ka filluar takimi dy ditor i organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, me pjesëmarrje të delegacioneve nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë dhe Gjykata Supreme e Malit të Zi, i cili po mbështetet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe projekti WBROLI.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi potencoi rëndësinë e këtij takimi, gjatë të cilit do të shkëmbehen përvojat mes gjykatave të tria vendeve, me theks në unifikimin e praktikës gjyqësore, pavarësisë së gjyqësorit, të drejtën për proces të rregullt gjyqësor si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të të tria gjykatave.

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi vlerësoi rolin që gjykatat e larta luajnë në unifikimin e praktikës gjyqësore derisa kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Vuckovic, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në shkëmbimin e përvojave mes të tria gjykatave.

Christopher Marshall, udhëheqës i projektit WBROLI shprehu gatishmërinë për mbështetjen e mëtutjeshme të sistemit gjyqësor në Kosovë dhe rajon.

Gjatë takimit, në panele do të diskutohen çështjet me rëndësi duke përfshirë rolin e gjykatave të larta në unifikimin e praktikës gjyqësore në raport me gjykatat e ulëta, pavarësinë e gjyqësorit duke përfshirë sfidat e gjykatave për mbrojtjen e kësaj pavarësie, politikën ndëshkimore me fokus në krimin e organizuar, pastrimin e parasë, terrorizmin, të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor, derisa dita e dytë e takimit pritet të përmbyllet me diskutimet rreth bashkëpunimit të tri gjykatave në të ardhmen.

Pjesëmarrës në takim, përveç kryetarëve dhe gjyqtarëve të gjykatave të larta, ishin edhe përfaqësues nga Ambasada Britanike,  të cilët financojnë Projektin WBROL i implementuar nga Chemonics.