Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese në punëtori të përbashkët

Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese në punëtori të përbashkët

Selanik, 19 korrik 2023 – Gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe ata të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në vijimësi të organizimit të punëtorive të përbashkëta profesionale, morën pjesë në punëtorinë e radhës të organizuar me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), e cila u mbajt në Selanik, më 18 – 19 korrik 2023.

Pas fjalëve hyrëse të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka – Nimani, kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi dhe përfaqësuesit të IRZ-së, Frank Hupfeld, punëtoria dyditore i vazhdoi punimet me diskutimet e pjesëmarrësve në temat: “E drejta në vendim të arsyetuar”, “E drejta për liri dhe siguri – rastet e  paraburgimit” dhe “E drejta në vendim të arsyetuar”, ku me prezantimet e tyre u paraqitën gjyqtarët e gjyqtarët e Gjykatës Supreme: Shukri Sylejmani, Ragip Namani dhe Agim Maliqi si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese: Safet Hoxha, Nexhmi Rexhepi,  dhe Enver Peci. 

Temë diskutimi në punëtorinë e mbajtur ishin edhe çështja e zbatimit të vendimeve të gjyqësorit të rregullt dhe të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, shkëmbimi i informatave relevante me gjyqësorin e rregullt lidhur me rastet në trajtim në Gjykatën Kushtetuese, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit reciprok në funksion të lehtësimit të procedurave administrative gjyqësore për palët parashtruese.

Moderator i punëtorisë ishte Winfried Schubert, ish-gjyqtar dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të rajonit Saxony-Anhalt, si dhe ish-Kryetar i Gjykatës Rajonale më të Lartë në Naumburg të Gjermanisë, i cili me prezantimet e tij në secilin panel të temave të trajtuara solli perspektivën dhe përvojën e gjyqësorit të rregullt dhe gjyqësisë kushtetuese gjermane.