Tryeza e organizuar nga Avokati i Popullit – Zgjidhja efektive e zvarritjeve të procedurës gjyqësore – kryetari Peci shpalosë rolin dhe përvojën e Gjykatës Supreme

Tryeza e organizuar nga Avokati i Popullit – Zgjidhja efektive e zvarritjeve të procedurës gjyqësore – kryetari Peci shpalosë rolin dhe përvojën e Gjykatës Supreme

Prishtinë, 21 qershor 2022 – Me ftesë të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka marrë pjesë në tryezën me temë “Zgjidhja efektive e zvarritjeve të procedurës gjyqësore – shkelja e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm”.

Në cilësinë e panelistit, kryetari Peci elaboroi rolin e Gjykatës Supreme lidhur me masat e mundshme në rastet e zvarritjeve procedurale, duke potencuar se gjykatat ende kanë probleme në aplikimin e nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, i cili konsiston në një gjykim të drejtë, sidomos në kohëzgjatje. Ndaj, sipas tij, praktika gjyqësore në Kosovë është e nevojshme të harmonizohet edhe më tutje me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Kreu i Supremes diskutoi edhe për vlerën e secilit mendim juridik, që nxjerr Gjykata Supreme, bazuar në kompetencat e saj, duke vënë në pah se zbatimi i tyre përfshinë edhe shkurtimin apo eliminimin e zvarritjeve procedurale. Ai listoi mendimet e fundit juridike, si ai për kompensimin e drejtpërdrejtë të dëmit dhe dëmeve të pa-përfshira në vendimin përfundimtar për shpronësim; Mendimin juridik për kamatën – lidhur me ligjin e aplikueshëm, lartësinë dhe periudhën e llogaritjes; Mendim juridik lidhur me Kodin e Drejtësisë për të Mitur; Mendim Juridik lidhur me veprën penale “Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”; Mendim Juridik lidhur me Parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, me burg dhe me gjobë; Mendim juridik lidhur me ndjekjen penale; Mendim juridik lidhur me trajtimin si vepër penale apo kundërvajtje  – në rast të aksidentit me të lënduar, etj.. Ndërkaq, potencoi nxjerrjen e Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore, si një mekanizëm që indirekt ndikon edhe në shmangien e zvarritjeve procedurale, ndonëse rolin kryesor e ka në lehtësimin e vendosjes me drejtësi nga ana e gjyqtarëve.

Kryetari Peci foli edhe për autorizimet e tij si kryetar i Gjykatës Supreme, të cilat rrjedhin nga Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke bërë me dije para të pranishmëve se në koordinim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, janë duke punuar në rritjen e efikasitetit të zbatimit të procedurave disiplinore dhe ndërveprimit të dy institucioneve, ndonëse nuk ka pasur ngecje në zbatimin e këtij Ligji, nga rastet e shqyrtuara deri më tash.

Në cilësinë e panelistit, para të pranishmëve, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, krahas hapave që janë ndërmarrë për të eliminuar zvarritjet procedurale, renditi edhe sfidat me të cilat vazhdon të përballet sistemi gjyqësor, të cilat nisin me buxhetin e limituar që ndahet për këtë pushtet, pandeminë si një faktor tjetër që ndikoi në rënie të efikasitetit e deri te mungesa e resurseve tjera humane e logjistike.

Kryesuesi Zogaj, foli edhe për proceset e fundit, në sistemin gjyqësor, të cilat i cilësoi shumë të rëndësishme në vazhdën e përpjekjeve për përmbushjen e objektivave, si ai i rekrutimit të 50 gjyqtarëve të rinj, 58 bashkëpunëtorëve, shpalljen e konkursit për 82 pozita për bashkëpunëtorë, krijimin e Gjykatës Komerciale dhe shumë procese tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në efikasitetin e sistemit gjyqësor.

Tryeza e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, mblodhi rreth vetës krerët më të lartë të shtetit, për të diskutuar lidhur me sfidat dhe gjetjen e zgjidhjeve sa i përket zvarritjeve procedurale gjyqësore, tani që Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.