Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore – konstatohet shkelja e Ligjit Penal në dobi të të pandehurve M.N., M.H. dhe A.Ll.

Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore – konstatohet shkelja e Ligjit Penal në dobi të të pandehurve M.N., M.H. dhe A.Ll.

Prishtinë, 11 maj 2022 – Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të pandehurve M.N., M.H. dhe A.Ll., të gjithë nga Peja, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore, aprovoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga Prokurori i Shtetit të Kosovës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit, dhe konstatoi se përmes këtyre aktvendimeve janë shkelur dispozitat e procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.1.12 të KPPK, dhe Ligjit Penal në dobi të të pandehurve M.N., M.H. dhe A.Ll.

  Me aktvendimin  e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm P.nr.66/2020 datë 07.05.2021, ndaj të pandehurve, M.N., M.H. dhe A.Ll., është hedhur aktakuza për shkak të veprës penale në bashkëkryerje mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore nga neni 402 par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK, dhe është pushuar procedura penale, “sepse veprimet e të pandehurve nuk përbëjnë vepër penale dhe nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar”.

   Në procedurën ankimore Gjykata e Apelit e Kosovës, me aktvendimin  PAKR.nr.592/2021 e datës 29.06.2021, ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe e ka vërtetuar  aktvendimin e shkallës së parë.

        Gjykata Supreme e Kosovës në seancën e kolegjit të mbajtur me 14 mars 2022, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes, gjeti se nuk është kontestuese se të pandehurit M.N., M.H. dhe A.Ll., të cilët janë punëtorë të Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Pejë, në kuadër të detyrave të tyre të punës kanë pasur edhe zbatimin e aktgjykimeve të plotfuqishme dhe kthimin në gjendje të mëparshme, sipas kërkesës së palëve të interesuara. Në rastin konkret këtu i dëmtuari L.C., ka paraqitur kërkesën, që ngastra kadastrale ../2 me sipërfaqe 0,54.1300 ha e regjistruar në listën poseduese nr.16 ZK B.P., të kthehet në gjendjen e mëparshme, sipas aktgjykimit të plotfuqishëm C.nr.603/2012 datë 06.01.2014.  Kërkesa ishte paraqitur me 24.07.2014 ndërkaq me datë 08.08.2017 i njëjti ka marrë aktvendimin për refuzimin e kërkesës së të dëmtuarit.

Aktgjykimi PML nr.87/2022, është i publikuar.