Në Gjykatë Supreme nisin punën tre gjyqtarë të rinj

Në Gjykatë Supreme nisin punën tre gjyqtarë të rinj

Prishtinë, 1 mars 2022 – Gjyqtarët Zenel Leku, Rrustem Thaqi dhe Nenad Lazic, kanë nisur sot punën në Gjykatën Supreme, dy të parët në degën civile ndërsa i fundit në Kolegjin e Apelit, (i cili vendos lidhur me vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore të Agjencisë Kosovare të Pronave dhe Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona, të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës), nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka mirëpritur gjyqtarët e rinj, mandati i të cilëve u konfirmua muajin e kaluar nga Këshilli Gjyqësor, duke shprehur bindjen se me numrin aktual të gjyqtarëve, dega civile do të mund të shqyrtojë cështjet në kohë të arsyeshme dhe gjyqtarët e rinj do të kontribuojnë edhe në praktikën gjyqësore, si një nga prioritetet e Gjykatës Supreme.

Avancimi i gjyqtarëve Leku, Thaqi dhe Lazic, vjen pas përvojës së tyre në gjykata themelore dhe së fundmi në Gjykatën e Apelit.

Aktualisht Gjykata Supreme ka 18 gjyqtarë, përfshirë kryetarin.