‘Kontrolli incidental’, i bënë bashkë gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe ata të Gjykatës Kushtetuese

‘Kontrolli incidental’, i bënë bashkë gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe ata të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 22 shkurt 2022 – Punëtoria me titull “Kontrolli Incidental i normave”, e organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Fondacionin për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), ka bërë bashkë kolegët gjyqtarë, të cilët kanë ndarë praktika rreth temës, duke pasur rastin të njihen edhe me perspektivën gjermane në këtë drejtim.

Në këtë punëtori, fjalët hyrëse janë mbajtur nga kryetarët e të dy gjykatave, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetarja e Gjykatës Kushtuese, Gresa Caka – Nimani si dhe nga përfaqësuesi i IRZ-së në Kosovë, Frank Hupfeld.

Në fjalën e tij të rastit, kreu i Supremes, Peci, mes tjerash pohoi se Kosova i ka inkorporuar në Kushtetutën e saj, Konventat e të Drejtave të Njeriut, “duke i vendosur ato mbi legjislacionin e brendshëm dhe duke i bërë ato drejtpërdrejtë të zbatueshme nga gjykatat dhe administratat publike”. Përveç kësaj, kryetari vuri theksin edhe në hartimin dhe miratimin e një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore për të mbrojtur dhe promovuar standardet e të Drejtave të Njeriut, duke mbuluar rastet e diskriminimit dhe barazisë gjinore, si dhe forcimin e organeve të të Drejtave të Njeriut, përfshirë Institucionin e Avokatit të Popullit të Kosovës.

Kryetari Peci, duke qartësuar kompetencat e të dy gjykatave, pjesëmarrëse në punëtori, ato të Gjykatës Kushtetuese që përfshijnë garantimin e respektimit të Kushtetutës dhe interpretimin përfundimtar të saj, ndërsa ato të Gjykatës Supreme, e cila qëndron si instanca më e fundit e të gjithë sistemit gjyqësor, që janë kontrolli dhe  mënyra e zbatimit të ligjit material e procedural nga gjykatat e shkallëve më të ulëta, sqaroi se, “në praktikë, Gjykata Supreme, por edhe gjykatat tjera të rregullta, po hasin në vështirësi në zbatimin e ligjit material dhe përputhshmërinë e tij me Kushtetutën. Ky juridiksion që ndryshe quhet edhe incidental, përbën mekanizmin që mundëson ndarjen e funksioneve të gjykatave të rregullta dhe Gjykatës Kushtetuese”, potencoi kreu i Supremes, duke mirëpritur referencat rreth kësaj situate edhe nga ekspertët gjermanë, të njohur me praktikat më të mira të vendeve demokratike, që kanë një përvojë të gjatë në zbatimin në praktikë të këtij instituti.

Prezantimet përkitazi me temën janë bërë nga gjyqtari i Gjykatës Supreme, Shukri Sylejmani, me temën “Kontrolli incidental” nga perspektiva e gjykatave të rregullta dhe nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, me temën “Praktika e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me ‘kontrollin incidental’”.

Në prezantimin e tij, gjyqtari Sylejmani ka sqaruar me shembuj konkret rastet kur gjykata Supreme dhe gjykatat tjera të shkallëve më të ulëta kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve të caktuara të disa ligjeve, nga Gjykata Kushtetuese. Ai po ashtu, sqaroi se si ngritet çështja e kushtetutshmërisë së një norme; cili është roli i palëve tek kontrolli incidental kushtetues; Dilemat për paraqitjen e kërkesave të tilla dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gjykatat e rregullta, në këtë drejtim.

Dy ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Prof. Dr. Gertrude Lübbe-Ëolff, profesoreshë e së Drejtës Publike në Universitetin e Bielefeldit, dhe Prof. Dr. Michael Eichberger, profesor Nderi në Universitetin Eberhard Karls të Tübingeni, kanë prezantuar rreth temës nga perspektiva e sistemit gjyqësor gjerman.

Për shkak të situatës me pandeminë Covid 19, punëtoria është mbajtur virtualisht dhe është ndjekur prej mbi dyzetepesë (45) pjesëmarrësish, gjyqtarë dhe staf mbështetës-profesional, nga të dy gjykatat dhe shënon një prej aktiviteteve të rregullta mes tyre, të cilat në vazhdimësi mbështeten nga IRZ-ja.