Kryetari i Gjykatës Supreme, në Konferencën e Prokurorëve, bën thirrje për trajtimin e çdo neglizhence, shkelje apo keqpërdorimi

Kryetari i Gjykatës Supreme, në Konferencën e Prokurorëve, bën thirrje për trajtimin e çdo neglizhence, shkelje apo keqpërdorimi

Prishtinë, 11 shkurt 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, ka marrë pjesë në konferencën vjetore të Prokurorëve, e organizuar nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me ç‘rast ka mbajtur një fjalë rasti.

“Ashtu siç gjykojmë të pavarur, objektiv e të paanshëm, ashtu duhet të zgjedhim qasjen edhe kur analizojmë punën tonë të përgjithshme si sistem i drejtësisë”, pohoi kryetari Peci duke marrë si shembull vlerësimin e organizatës Transparency International, sipas të cilës, Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, kreu i Supremes theksoi nevojën e ndërmarrjes së veprimeve karshi çdo neglizhence, shkelje apo keqpërdorimi.  Ai bëri me dije se “KGjK është duke finalizuar ndryshimet e rregulloreve, që rrisin llogaridhënien, transparencën dhe reduktojnë listën e problemeve”, duke shprehur besimin se një gjë e tillë ka filluar të ndodh edhe nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Përkundër mungesës së kapaciteteve humane e buxhetore, kryetari Peci vuri në pah se gjykatat në Kosovë, vitin që shkoi, ia kanë dal të zvogëlojnë numrin e lëndëve të grumbulluara, krahasuar me vitin 2020, analizë kjo e nxjerr pas raportimit për punën një vjeçare, të kryetarëve të gjykatave në KGJK. Megjithatë, ai kujtoi faktin se sfidë mbetet; numri i vogël i gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve, mungesa e infrastrukturës nëpër gjykata dhe çështje tjera që kërkojnë bashkërendim institucional.

Kryetari Peci, gjatë fjalimit të tij, mes tjerash theksoi edhe nevojën që krerët e drejtësisë të japin kontributin e tyre në edukimin qytetar, si një mjet për të inkurajuar të kuptuarit e gjyqësorit. “Ka kaluar koha kur gjyqtarit nuk i ka interesuar perceptimi i publikut, me idenë se e vërteta dhe vendosja e tij me drejtësi është e vetëkuptueshme. Krahas transparencës lidhur me vendimmarrjen, ka ardhur koha të bëjmë përpjekje edhe për ngritjen e nivelit të vetëdijes së qytetarëve për rolin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë”, theksoi ai duke shtuar se mbi të gjitha, e rëndësishme mbetet të vendoset drejtë që qytetarëve t’ju kthehet besimi në drejtësi.