Kryetari Peci përkrah gjyqtarët e sapoemëruar

Kryetari Peci përkrah gjyqtarët e sapoemëruar

Prishtinë, 18 shkurt 2021 – Është mbajtur ceremonia e organizuar nga Akademia e Drejtësisë me rastin e fillimit të Programit të Trajnimit Fillestar për 23 gjyqtarët e sapoemëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës e të dekretuar nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani.

Gjatë ceremonisë, me fjalë rasti para gjyqtarëve të rinj është paraqitur Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme, njëherësh kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, i cili duke uruar gjyqtarët e sapoemëruar, kujtoi para tyre një prej përvojave të para si gjyqtar dhe inkurajoi ata që të përdorin Udhëzuesin e Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore.

“Për të sfiduar vështirësitë që sjell çdo fillim i ri, ju këshilloj të zgjeroni horizontin e eksplorimit. Nuk mjafton vetëm ndjekja e trajnimit fillestar në Akademi. Veç shfletimit të Kodeve, ligjeve, komentarëve, debateve, për fat të mirë, ju keni në dispozicion edhe Udhëzuesin për Politikë Ndëshkimore, i cili është një mjet lehtësues për të vendosur, sidomos për ju si gjyqtarë të rinj”, theksoi kryetari Peci, duke u shprehur i gatshëm të jetë në dispozicion të gjyqtarëve të rinj, për çfarëdo paqartësie, dileme a pyetje, jo vetëm gjatë periudhës trajnuese, por kurdo gjatë rrugëtimit të tyre.

Ndërkaq, në adresimin e tij para gjyqtarëve të rinj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett, mes tjerash theksoi “Ju, si gjykatës, keni fuqinë për të zbatuar dhe gjykuar, por kjo duhet të rrënjoset në prova dhe në vetë ligjin. Në punën tuaj, ju duhet të lini mënjanë gjithçka që mund të shpërqendrojë ose t’ua tërheqë vëmendjen nga ndjekja e drejtësisë dhe sigurimi i një sistemi të drejtë për popullin e Kosovës. Kjo nuk është detyrë e lehtë dhe kërkon guxim. Guxim për të lënë anash zhurmën politike. Guxim për të vepruar bazuar në ligj, jo sipas bindjeve tuaja personale ose politike…”.

Fjalë rasti në ketë ceremoni mbajti edhe Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, i cili u shpreh se “Akademia e Drejtësisë luan një rol kyç në reformimin e sistemit gjyqësor dhe në fuqizimin e Sundimit të ligjit në Kosovë. Zyra e BE në Kosovë punon së bashku me Akademinë për të ngritur kapacitetet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës në nivelin e kolegëve të tyre evropian. Arsimimi i duhur ligjor siguron që gjyqtarët gjatë punës së tyre të ofrojnë mbrojtjen e të drejtave fundamentale. Ky është prioritet i BE dhe prioritet i Kosovës në rrugën evropiane”.

Në fjalën e tij para gjyqtarëve dhe të pranishmëve, Skender Çoçaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, vuri theksin në rolin e rëndësishëm që gjyqtarët kanë mbi vete dhe sfidat që ata i presin. “Rruga që sot po filloni mund të duket e vështirë por do të jetë nder për ju që përmes punës tuaj të shërbeni për gjyqësorin e vendit tonë, prandaj ju duhet te ndiheni krenarë dhe të punoni me përkushtim dhe angazhim maksimal duke përmbushur synimet tona për një gjyqësorë të pavarur dhe llogaridhënës, të paanshëm dhe transparent, efikas dhe të besueshëm”.

Edhe drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, në përmbyllje të ceremonisë, duke falënderuar miqtë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian për ndihmën e ofruar, theksoi se Akademia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në ofrimin e trajnimeve cilësore e profesionale.

Gjyqtarët e sapoemëruar me datën 22 shkurt fillojnë programin 12 mujor të trajnimit fillestar teorik dhe praktik. Gjyqtarët janë caktuar të shërbejnë në gjykata të ndryshme në tërë Kosovën duke vijuar njëkohësisht edhe trajnimin e tyre në Akademinë e Drejtësisë.