Mbahet seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme, miratohet plani vjetor i punës

Mbahet seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme, miratohet plani vjetor i punës

Prishtinë, 12 janar 2021 – Nën drejtimin e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Pecit, është mbajtur seanca e përgjithshme, në të cilën është miratuar orari vjetor i punës dhe është diskutuar për raportin vjetor të vitit 2020.

Kryetari Peci, njoftoi gjyqtarët e pranishëm me statistikat e përgjithshme duke bërë me dije se gjatë vitit që lamë pas, janë pranuar 1.409 lëndë, ndërkaq janë kryer 1.188 sosh. Të pakryera kanë mbetur kryesisht lëndët e arritura në muajt e fundit të vitit 2020, e që në total përbëjnë 392 lëndë.

Kreu i Supremes, vlerësoi të jetë kryer një punë e kënaqshme, përkundër faktit se është vepruar në kushte me kufizime si pasojë e përballjes me pandeminë dhe me mungesë gjyqtarësh që kanë dalë në pension. Ardhja e dy gjyqtarëve të rinj në tre mujorin e fundit të vitit 2020, në degën civile, sipas kryetarit ka qenë një përforcim i mirë, duke pasur parasysh faktin se vetëm në degën civile janë pranuar mbi 800 kërkesa për mjete të jashtëzakonshme juridike. Prej tyre vetëm revizion janë regjistruar 676 kërkesa.

Kryetari Peci çmoi punën e gjyqtarëve të degës penale, të cilët, nga 358 kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë të pranuara gjatë vitit 2020, kanë kryer 362 sosh, duke mbetur të pakryera vetëm 13 kërkesa PML. Nga 112 kërkesat për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, të pranuara gjatë vitit 2020, dega penale ka përfunduar 115 të tilla.

Edhe dega administrative ka përfunduar të gjitha ankesat administrative, të pranuara gjatë vitit 2020.