Miratimi i ligjit për DhPGjS mbledh krerët e drejtësisë

Miratimi i ligjit për DhPGjS mbledh krerët e drejtësisë

Prishtinë, 18 qershor 2019 – Aprovimi i Ligjit të ri për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, nga Kuvendi i Kosovës, pas përfundimit të mandatit të EULEX-it, ka mbledhur në një takim të përbashkët, në Pallatin e Drejtësisë, kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, ministrin e Drejtësisë…

Prishtinë, 18 qershor 2019 – Aprovimi i Ligjit të ri për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, nga Kuvendi i Kosovës, pas përfundimit të mandatit të EULEX-it, ka mbledhur në një takim të përbashkët, në Pallatin e Drejtësisë, kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri dhe kryetarin e Dhomës së Posaçme, Sahit Sylejmani me gjyqtarë të kësaj Dhome.

Pak ditë para se ky ligj të hyjë në fuqi, të pranishmit të takim, kanë theksuar nevojën e rritjes së intensitetit të punës, në mënyrë që mbi 21 mijë lëndë të grumbulluara në DhPGjS, të marrin epilog dhe palët e përfshira në konteste, të gëzojnë të drejtat e tyre.

Kreu i Gjykatës Supreme, Peci, kërkoi nga gjyqtarët e Dhomës që të japin maksimumin, për shqyrtim të drejtë dhe të shpejtë të këtyre lëndëve, duke ua kujtuar edhe pagat e larta, si një motiv shtesë për punë.

Ndërkaq, kryesuesi i KGjK-së, Çoçaj, u zotua se do të plotësojnë të gjitha nevojat që paraqiten me ndryshimet e fundit ligjore, në kuadër të kompetencave të Këshillit, duke filluar që nga plotësimi i pozitave të lira për gjyqtarë e deri te krijimi i kushteve më të përshtatshme për punë.

Në anën tjetër, edhe ministri i Drejtësisë, Tahiri shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton, për të mbështetur jetësimin e ligjit të ri, në mënyrë që qytetarët të gëzojnë të drejtat e tyre për 20 për qindëshin, që iu takon, nga procesi i privatizimit.

Sa i përket vakumit ligjor, të krijuar pas përfundimit të mandatit të EULEX, kryetari i DhPGJS, Sylejmani, sqaroi para të pranishmëve, se përgjatë kësaj periudhe një vjeçare, pas një vendimi të KGJK-së, për funksionalizimin e Dhomës, nga nëntori i vitit 2018, janë kryer mbi 600 lëndë dhe janë ndërmarrë aktivitete tjera procedurale.