Prishtinë, 4 prill 2019 – Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga USAID, Programi për të Drejtat Pronësore, me rastin e përmbylljes së këtij projekti, ku u prezantuan të arriturat e Kosovës, në këtë fushë, gjatë pesë viteve të fundit. “Jam i nderuar që kam mundësinë të falënderoj…
Prishtinë, 4 prill 2019 – Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga USAID, Programi për të Drejtat Pronësore, me rastin e përmbylljes së këtij projekti, ku u prezantuan të arriturat e Kosovës, në këtë fushë, gjatë pesë viteve të fundit.
“Jam i nderuar që kam mundësinë të falënderoj USAID-in për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe po vazhdon të jap për institucionet dhe qytetarët e vendit tonë”, u shpreh kryetari Peci, në fjalën e tij të rastit, duke potencuar faktin se për këto pesë vjet, përmes Programit të USAID për të Drejtat Pronësore, Kosova ka përfituar shumë në avancimin e të drejtave pronësore.
Sipas kryetarit, falë realizimit të këtij projekti, Kosova dhe posaçërisht sistemi gjyqësor ka përfituar në kuptim të krijimit të sigurisë juridike dhe forcimit të sundimit të ligjit , si parakushte për zhvillim të mirëfilltë ekonomik për vendin.
“Duke marr parasysh sfidat e shumta, me të cilat, ne si shoqëri dhe si institucione, jemi ballafaquar në çështjet pronësore, konsideroj se Projekti USAID-it për të Drejtat Pronësore, ka luajtur rol kyç në adresimin dhe ndërmarrjen e aktiviteteve adekuate në përmbushjen e objektivave të tij. Pra, të arriturat e këtij projekti janë të shumta, duke filluar nga reforma legjislative- siç është Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore, iniciativat për fuqizimin e të drejtave të grave për të përdorur pronën; iniciativat e shumta në përmirësimin e komunikimit dhe të kuptuarit e të drejtave pronësore, si dhe iniciativat në përmirësimin e praktikave të gjykimit të kontesteve pronësore- ku është shumë e rëndësishme të theksohet se vetëm në tri gjykata themelore, Programit i USAID-it për të Drejtat Pronësore ka arritur që duke krijuar ekipe hibride, gjyqtarë-bashkëpunëtorë profesional, duke e përfshirë stafin mbështetës në tërë rrjedhën e procesit gjyqësor, kanë treguar rezultate mbresëlënëse”, u shpreh kreu i Supremes.
Përmes Programit për të Drejtat Pronësore, për vetëm 15 muaj angazhim të bashkëpunëtorëve profesional nga USAID-i në tri gjykata, koha mesatare e përfundimit të një lënde pronësore, ka rënë nga 1289 ditë në 920 ditë. Për vetëm 15 muaj, me një numër të limituar të bashkëpunëtorëve profesional (1 për dy gjyqtarë), qytetarëve i është ofruar drejtësi për një 1 vit më shpejtë.
Duke prezantuar këto dhe fakte tjera suksesi të këtij programi, kryetari Peci, sqaroi para të pranishmëve po ashtu se nga Projekti për te Drejta Pronësore për gjyqtarët dhe profesionistët tjerë ligjor, përveç publikimit të përmbledhjes së rasteve nga praktika gjyqësore e GjEDNj që ndërlidhen me zbatimin e të drejtave pronësore të përcaktuara në Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së fundmi, Projekti për të Drejtat Pronësore në bashkëpunim me Degën Civile të Gjykatës Supreme ka hartuar Komentarin e Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Supreme, në zbatimin dhe interpretimin e instituteve më të rëndësishme ligjore që rregullojnë të drejtat pronësore, e që në javët në vijim, pritet të bëhet edhe publikimi i kësaj përmbledhje”.
Një mbështetje tjetër që ky projekt ka dhënë në gjyqësor, sipas kryetarit, është edhe ngritja e kapaciteteve dhe avancimi i njohurive të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesional, në fushën e legjislacionit të zbatueshëm të drejtave pronësore.
Megjithatë, përkundër të arriturave te shumta, kryetari krahas falënderimit të shprehur për USAID-in, shprehu bindjen dhe shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë tutje, deri në përmbushjen e plotë të objektivave të gjyqësorit.