Përkushtimi për një gjyqësor profesional kërkon angazhim të intensifikuar

Përkushtimi për një gjyqësor profesional kërkon angazhim të intensifikuar

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, të shtunën në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, gjatë fjalës së tij të rastit, ka theksuar nevojën e angazhimit të shumëfishtë nga i gjithë sistemi i drejtësisë, për të siguruar drejtësi të mirëfilltë për secilin qytetar dhe trajtim brenda afateve ligjore për secilin rast.

“Jemi të vetëdijshëm se ka pasur shumë ndryshime pozitive, krahasuar me gjendjen ku kemi qenë dhe ku jemi sot. Megjithatë, ende gjyqësori përballet me probleme që e shoqërojnë nga viti në vit, lëndë të grumbulluara e qytetarë që presin me vite për t’u vendosur drejtësia për ta. Mjafton ky fakt për të rrënuar besimin e publikut në drejtësi, e duhet angazhim i shumëfishtë e me vite për ta ndryshuar këtë perceptim”, është shprehur ai.

Tutje kryetari Peci, shtoi se në procesin e reformave të vazhdueshme, ligjore e institucionale të pushtetit gjyqësor, ka ende ngecje në administrimin e drejtësisë sipas standardeve bashkëkohore. “Përkushtimi për një gjyqësor profesional e me integritet, kërkon angazhim të intensifikuar nga ana jonë, duke nisur nga trajtimi i secilës sfidë dhe secilit problem”.

Ai bëri me dije para të pranishmëve se që nga viti i kaluar, është bërë bashkë me kryeprokurorin e Shtetit, me gjyqtarë nga shkallët më të ulëta, me avokatë e ekspertë të tjerë të fushës, për të punuar në drejtim të unifikimit të politikës ndëshkimore në vend. “E kam potencuar edhe herë të tjera, që kemi një disbalancë në shqiptim të dënimeve për vepra të ngjashme penale, të kryera në rrethana, pothuajse të ngjashme. Si kryesues i këtij Komisioni, do të intensifikoj angazhimin në mënyrë që sa më shpejt të ndërpritet zbatimi arbitrar i ligji. Më nuk mjafton vetëm të reagojmë gojarisht, nëse vërtetohet se një vepër penale e korrupsionit është kryer dhe dikush shpallet fajtor e i shqiptohet dënim me kusht”, është shprehur kreu i Supremes, duke potencuar se do të ndërmerren hapa konkret që gjyqtarët që shqiptojnë dënime në shpërputhje me ligjin, këto gjetje të përfshihen në vlerësimin e performancës së tyre dhe më pas Këshilli Gjyqësor të veprojë në përputhje me ligjin.

Sipas kryetarit, nuk mund të lejohet tutje trajtimi i pabarabartë i qytetarëve, “pasi kjo nuk nënkupton vetëm pabarazi, po trajtimi i pabarabartë i kryesve të veprave penale është shkelje e Kushtetutës dhe të drejtave themelore të individit”.

“Konferenca vjetore e prokurorëve” është organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ndërkaq është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.