Luftë korrupsionit për të garantuar respektimin e të drejtave të qytetarëve

Luftë korrupsionit për të garantuar respektimin e të drejtave të qytetarëve

Prishtinë, 1 dhjetor 2018 – “Viti 2018 ka qenë një vit kur sytë e qytetarëve u drejtuan kah gjyqësori, me shpresën se ne do ta përcaktojmë të ardhmen lidhur me liberalizimin e vizave. Në këtë kuptim, krerët e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial u mobilizuan dhe u vendos që rastet e shenjëstruara për liberalizim vizash të trajtohen me prioritet. Kjo edhe ka ndodhur. Gjyqësori e ka dhënë kontributin e tij në vendosjen e këtyre lëndëve me prioritet. Por, pavarësisht qëllimeve shtetërore, gjyqësori si pushtet, qëllim kryesor e ka vendosjen me drejtësi për secilin. Duke vendosur drejtë, qytetarëve të këtij vendi do t’ju kthehet shpresa dhe besimi në drejtësi”, kështu u shpreh sot, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ne Konferencën e tetë Gjyqësore.

Sipas tij, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfida jonë prioritare vetëm për të siguruar liberalizimin e vizave, por para së gjithash, për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Tutje gjate fjalimit, kryetari shprehu shqetësimin e tij per administratën e sistemit gjyqësor, të cilët, në mungesë të hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat, vazhdojnë të jenë të diskriminuar në shumë aspekte. “Në mungesë të këtij ligji, për pozitat dhe punën e njëjtë, ka zyrtarë që paguhen ndryshe. Ndërkohë që si gjyqësor, në gjysmë të këtij viti, u përballëm me grevën e administratës.

Ndaj, si njerëz në radhë të parë dhe si udhëheqës të këtij sistemi në radhë të dytë, na takon që të mbështesim stafin tonë, dhe të krijojmë alternativa për t’i motivuar deri në realizim të të drejtave të tyre si shërbyes civil”, potencoi kreu i Supremes..

Gjatë kësaj konference, kryetari Peci dhe gjyqtari Erdogan Haxhibeqiri, kanë promovuar Buletinin e IV-të të Gjykatës Supreme.