Mbahet seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme

Mbahet seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme

Prishtinë, 26 korrik 2018 – Gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe të Dhomë së Posaçme, nën udhëheqjen e kryetarit Enver Peci, kanë mbajtur seancë të përgjithshme, gjatë të cilës u shqyrtuan kërkesat për dhënie të mendimeve juridike.

Kryetari i njoftoi të pranishmit me këto kërkesa, duke i ftuar të shprehin opinionin e tyre, nëse duhet dhënë mendim juridik ose jo. Ai sqaroi se gjykata ka pranuar një kërkesë të tillë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN, të cilët gjatë një emisioni kanë evidentuar disa probleme për dy ligjet e aprovuara së fundmi, Ligjin për Kundërvajtje dhe Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.         

Mirëpo, shumica e gjyqtarëve e konsideruan të panevojshme dhënien e një mendimi juridik për një subjekt që nuk i takon gjyqësorit, siç është në këtë rast, BIRN. Ata potencuan se sipas ligjit, Gjykata Supreme nuk është e obliguar të jap mendime juridike për subjekte jashtë gjyqësori. Si rrjedhim, me shumicë votash, gjyqtarët votuan kundër dhënies së mendimit juridik në këtë rast.

Gjyqtarët shqyrtuan edhe kërkesën e dytë për mendim juridik, e cila është pranuar nga Gjykata e Apelit, sipas së cilës, ka pasur një dilemë tek ngritja e aktakuzave për veprat penale të rrezikimit të trafikut publik, ngase është krijuar një situatë konfuze se si të veprohet në situatat pas aprovimit të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Dilema është ngritur nëse cilësohen si vepër penale apo kundërvajtje rastet e shkaktimit të aksidentit me persona të lënduar. Sipas kryetarit, Kosova e ka Kodin Penal në fuqi, ndaj ky Kod duhet të respektohet.

Edhe gjyqtarët u pajtuan se në rast kolezioni mes ligjeve të caktuara, duhet të merren parasysh dispozitat e Kodit Penal.

Megjithatë, për të eliminuar dilemën nëse cilësohen si vepër penale apo kundërvajtje rastet e shkaktimit të aksidentit me persona të lënduar, shumica e gjyqtarëve ishin dakord për dhënie të mendimit juridik, i cili do të qartësonte këtë dilemë dhe do të kontribuonte në unifikimin e praktikës gjyqësore.

Gjyqtarët, me shumicë votash aprovuan opinionin e përgatitur për këtë çështje.

Gjatë seancës, u diskutua edhe për ndryshimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme, i cili ka kaluar në lexim të parë, por ende nuk është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.

Kryetari Peci, para gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, dhe atyre nga DHPGJS, përfshirë kryetarin e kësaj Dhome, Sahit Sylejmanin, theksoi faktin e ndodhjes në një situatë të pavolitshme, në të cilën gjyqtarët, në bazë të ligjit ekzistues, nuk kanë të drejtë të vendosin për asnjë lëndë, pa përfshirje të gjyqtarëve nga EULEX.

Kryetari i DhPGjS, Sahit Sylejmani, sqaroi se seanca e fundit me gjyqtarë të EULEX-it ka qenë me 6 qershor dhe se më nuk është vendosur asnjë lëndë. Ai po ashtu, bëri me dije se në diskutim me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, kanë marrë premtim që të pezullohet procesi i shitjes, në mënyrë që të mos dëmtohen palët në procese gjyqësore.

 

Mendimin Juridik të aprovuar në seancën e përgjithshme të 26 korrikut, mund ta gjeni tek moduli: Mendimet Juridike