Kryetari Hasani, pjesëmarrës në Samitin ndërkombëtar të Gjykatave të Larta

Kryetari Hasani, pjesëmarrës në Samitin ndërkombëtar të Gjykatave të Larta

Një delegacion nga gjyqësori i Kosovës, i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Ass. Dr. Fejzullah Hasani, po merr pjesë në Samitin e tretë Ndërkombëtar të Gjykatave të Larta, që po mbahet në Bursa të Turqisë, kësaj radhe me temë “Transparenca në procesin gjyqësor”.

Ditën e parë të samitit, kryetari Hasani është paraqitur para të pranishmëve me fjalë rasti për transparencën gjyqësore, ndërkaq në ditën e dytë, për përfshirjen e komuniteteve në gjyqësor.

Kreu i Supremes, ka theksuar rëndësinë e transparencës në proceset gjyqësore, duke i njoftuar homologët nga bota, me ndryshimet ligjore si dhe reformën dhe progresin që gjyqësori i Kosovës ka shënuar në këtë drejtim.

Në këtë samit janë trajtuar çështje me rëndësi për sistemet gjyqësore të vendeve pjesëmarrëse, si qasja në drejtësi, gjykimet publike, qasja e lehtë në objektet e gjykatave dhe në informata, qasja në informacione mbi procedurat gjyqësore dhe dokumente relevante, publikimi i vendimeve gjyqësore, marrëdhëniet me mediat dhe strategjitë e komunikimit, vlerësimi i kënaqësisë së publikut me dhënien e drejtësisë, etika në gjyqësor, etj..

Samiti treditor ka filluar punimet me 1 dhe 2 qershor në Bursa, ndërkaq, të premten do t’i vazhdoi ato në Stamboll, ku pritet të nënshkruhet “Deklarata e Stambollit për Transparencë në procesin gjyqësor”.