Delegacioni nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vizitoi Gjykatën Supreme

Delegacioni nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vizitoi Gjykatën Supreme

Prishtinë, 11 maj 2016 – Të mërkurën kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Ass. Dr. Fejzullah Hasani bashkë me gjyqtarët e gjykatës, ka pritur në takim një delegacion nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në krye me kryetarin e kësaj gjykate, Bashkim Dedja dhe gjyqtarët, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha.

Kryetari Hasani ka njoftuar delegacionin shqiptar me funksionimin e Gjykatës Supreme, historikun e kësaj gjykate, procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj, mandatin e tyre, pastaj ndryshimet që kanë ndodhur në sistemin gjyqësor si pasojë e reformave, dhe sfidat me të cilat gjyqësori kosovar po përballet aktualisht. 

 

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_5445.JPG

“Pas reformave, ndryshimet kanë qenë në tri dimensione, në aspektin e infrastrukturës ligjore, të strukturës organizative të gjyqësorit dhe në aspektin e bartësve të funksioneve gjyqësore”, ka bërë me dije kryetari Hasani. Ndërkaq, ka shtuar se, “sa i përket efikasitetit, mund të themi se jemi gjykatë efikase, pasi jemi duke punuar në lëndë të vitit 2016”.  Megjithatë, ai ka vënë në pah sfidat me të cilat po përballet gjyqësori në Kosovë, duke potencuar se, “aktualisht, problemin më të madh e kemi me Prishtinën, sa iu përket lëndëve të prapambetura, ku kemi shumë cështje, ndërkohë që në gjykatat tjera, pothuajse jemi në kuadër të standardeve, sa i përket vendosjes së cështjeve, respektimit të standardit kohor”. 

Në anën tjetër, kryetari Dedja ka bërë me dije se procesit të reformave i është nënshtruar edhe sistemi gjyqësor në Shqipëri, madje, sipas tij, në këtë reformë janë përfshirë, jo vetëm prokuroria e gjykatat, por edhe gjithë sektorët e tjerë ndihmës, duke filluar që nga avokatia, noteria, përmbarimet dhe burxhet. Në kuadër të kësaj reforme ai ka folur edhe për ndryshimet që do ta përfshijnë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si ato rreth mënyrës së zgjedhjes së gjyqtarëve dhe kryetarit, zgjerimit të diapazonit të gjykatës, procesin e përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve etj..

 Në shoqëri të delegacionit shqiptar ishte edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, e cila theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes gjykatave në Kosovë dhe atyre në Shqipëri duke vënë në pah faktin se ky bashkëpunim natyror ka dhënë rezultate deri më tash dhe duhet të vazhdoi tutje.

Ndryshe, delegacioni nga Shqipëria po qëndron në Kosovë me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.