Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë na ndihmon ta luftojmë korrupsionin

Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë na ndihmon ta luftojmë  korrupsionin

Prishtinë, 27 prill 2016 – Në cilësinë e panelistit, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Ass. Dr. Fejzullah Hasani ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me titull “Ligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, e cila në fokus kishte luftimin e korrupsionit. Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Në fjalën e tij hyrëse, kryetari Hasani, ka theksuar se mekanizmat për luftimin e korrupsionit në Kosovë nuk mungojnë, por rezultati në këtë luftë lë për të dëshiruar. “Ne konsiderojmë se ka defekte në të gjitha mekanizmat e ndjekjes, s’po përjashtojmë mundësinë edhe të mungesës së guximit. Kjo dukuri nuk mund të luftohet e limituar në institucione të caktuara”, është shprehur ai. Sipas kreut të Supremes, mbështetja e segmentit politik dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, do t’i ndihmojnë sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.

 

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/1.-Foto-tryeza-1024x682.jpg

Në anën tjetër, në fjalën e tij hyrëse, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ka pohuar se KPK dhe KGJK duhet të jenë shembuj në drejtësi dhe se ngritja në karrierë në sistemin e drejtësisë duhet të jetë e bazuar në meritat e performancës së gjykatësve dhe prokurorëve. Ndërsa, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka vlerësuar rolin e shoqërisë civile në përpjekjen për luftimin e korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë.  Sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të kenë një përkushtim të kompletuar për të luftuar korrupsionin brenda vet sistemit të drejtësisë.

Kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi ka nënvizuar domosdoshmërinë që institucionet e drejtësisë të dëshmojnë ndërmarrjen e hapave në drejtim të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, ndërkohë që Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj ka thënë se KPK ka arritur përparime të dukshme në shumë drejtime, që nga janari i këtij viti, kur edhe u formua përbërja e re e këtij Këshilli.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe kryetarët e gjykatave themelore, kryeprokurorët e prokurorive themelore, gjykatës, prokurorë e përfaqësues të organizatave të huaja e të vendit.