Reagim i Gjykatës Supreme për gjendjen në Pallat

Reagim i Gjykatës Supreme për gjendjen në Pallat

Gjykatës Supreme, gjyqtarët dhe stafi mbështetës, me shqetësim e kanë pritur publikimin në media të një ekspertize profesionale, e autorizuar nga Prokuroria, në të cilën konstatohet se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara

Prishtinë, 9 shkurt 2016 – Të ballafaquar çdo ditë me gjendjen e rëndë në Pallatin e Drejtësisë, pasojat e të cilës gjendje po i ndjejnë në shëndetin e tyre, kryetari i Gjykatës Supreme, gjyqtarët dhe stafi mbështetës, me shqetësim e kanë pritur edhe publikimin në media të një ekspertize profesionale, e autorizuar nga Prokuroria, në të cilën konstatohet se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara.

Në këtë ekspertizë, siç citojnë mediat, ambienti brenda pallatit është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve. Të ballafaquar me pasojat e kësaj gjendjeje, gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës Supreme është dashtë disa herë të kërkojnë ndihmë mjekësore. Dhimbjet e kokës, syve, gjakderdhje nga hunda, plogështi dhe marramendje, janë vetëm disa nga simptomat që manifestohen te shumica e stafit në këtë gjykatë.

Ndaj, të shqetësuar thellë për mos-reagimin institucional të organeve kompetente, të habitur me mbajtjen sekret të ekspertizës, kërkojmë hapa urgjent në sanimin e gjendjes, në mënyrë që të mbrohet jeta dhe shëndeti i individit.

Përkundër adresimit të problemeve të shfaqura në Pallat, Gjykata Supreme nuk ka parë asnjë përmirësim në këtë drejtim, ndaj kjo gjykatë, kërkon që sa më shpejt të intervenohet në hapjen e dritareve, pasi sistemi i ventilimit është dëshmuar joefikas, ndërkohë që jeta jonë po rrezikohet çdo ditë.

Nëse përkundër gjithë këtyre reagimeve, kompetentët nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të sanuar gjendjen këtu, personat përgjegjës, për lëshimet e tilla, do të përgjigjen edhe penalisht për mosveprim.