Hasani: Kosova, shembull i diversitetit kulturor

Hasani: Kosova, shembull i diversitetit kulturor

Kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, po qëndron në Berlin, ku po merr pjesë në Konferencën Vjetore mbi Diplomacinë Kulturore, të organizuar nga Instituti për Diplomaci Kulturore (ICD), si dhe në takimin vjetor të Bordit Këshilldhënës të ICD-së, si anëtar i saj

Berlin, 12 dhjetor 2015 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, po qëndron në Berlin, ku po merr pjesë në Konferencën Vjetore mbi Diplomacinë Kulturore, të organizuar nga Instituti për Diplomaci Kulturore (ICD), si dhe në takimin vjetor të Bordit Këshilldhënës të ICD-së, si anëtar i saj. Gjatë konferencës, kreu i Supremes, ka mbajtur fjalim me temën “Diplomacia kulturore një forcë e cila i zgjeron marrëdhëniet, ndërton mirëkuptimin dhe e avancon prosperitetin”, me ç’rast ka potencuar se populli i Kosovës, paraqet një shembull të dalluar të diversitetit kulturor, dhe se tani po përpiqemi t’i maksimizojmë mundësitë për kultivimin e raporteve dhe marrëdhënieve në mes nesh dhe pjesës tjetër të botës së civilizuar.

“Sot, kultura në botë është bërë tepër e ndërlidhur dhe e ndërvarur në aspektin social, ekonomik dhe politik për ta injoruar. Koha e digjitalizimit na ka shtyrë në një raport shumë të ngushtë me njëri tjetrin. Mënyrat tona të komunikimit nuk kufizohen më nga ndarjet gjeografike apo kulturore. Njerëzit, gjithnjë e më shumë flasin, punojnë, tregtojnë, investojnë, ndërveprojnë dhe ndërmarrin aktivitete vendimtare dhe inventive – me mediat shoqërore si mjetin e tyre qendror. Nuk është më në pyetje nëse ne duhet të marrim pjesë në diplomacinë publike – ku diplomacia kulturore është pjesë kryesore e sajë – por çka ne duhet të bëjmë që ta vejmë diplomacinë kulturore në shërbim të së mirës”, është shprehur kryetari Hasani.

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/Kryetari_F._Hasani_206318.png 

Tutje, ai ka theksuar se e gjithë bota është duke kaluar nëpër një transformim/transicion. “Bota jonë, aktuale ballafaqohet me një sërë paradoksesh: të qenit i pazhvilluar nuk e përjashton  armatosjen, demokracia nuk e eliminon korrupsionin dhe ekonomia e tregut dështon t’i pengojë katastrofat ekologjike dhe papunësinë. Edhe 70 vjet pas aprovimit, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut sistematikisht po sfidohet, qoftë me pretekst ideologjik, qoftë në presionin e varfërisë epidemike. Krimi i organizuar, terrorizmi, trafikimi i drogës dhe i armëve, substancat radioaktive, prostitucioni, pedofilia, ekonomia e tregut të zi dhe emigrimi me dhunë janë rreziqet më të theksuara në mbarë botën, por nuk janë edhe të vetmet kundër të cilave qeveritë, agjencitë për zbatimin e ligjit apo organizatat humanitare duhet të luftojnë, duke e pranuar shpesh se janë joefikase në luftën kundër këtyre dukurive”, potencoi para të pranishmëve, i pari i sistemit gjyqësor në Kosovë. Ai vuri në pah nevojën e strategjive për paqe dhe zhvillim duke shprehur bindjen se të rinjtë, nuk i njohin identitetet apo lojalitetin afatgjatë, por vetëm ato pragmatike dhe aktuale. “Ata janë shumë të lëvizshëm, aktiv dhe pozicionohen sipas karakterit të çdo personi në ato hapësira ku ekzistoni minimumi i rrezikut, apo thëne më mirë, në ato vende ku u ofrohet maksimumi i mundësive. Ky lloj i popullatës pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme, siç edhe shpesh e shohim në ditët e sotme, përmes emigrimeve masive”. 

 

Për Prof. Dr. Hasanin është e rëndësishme që marrëdhëniet t’i bëjmë humane. “Ne mund të ndërtojmë mirëkuptim reciprok”, u shpreh ai duke folur për rastin e Kosovës, të cilës, sipas tij, duke qenë shtet i ri, i duhen partnerë, mbështetje dhe qasje në rrjetat dhe partneritet me të tjerët për t’i avancuar objektivat. “Kjo do të thotë punë dhe partneritet me institucionet multilaterale, shtetet, organizatat e ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare, fondacionet, universitetet, njerëzit e artit dhe të tjerët. Kosova ka nevojë për të marrë mjaftë nga bota, por gjithashtu ka edhe mjaft për t’i ofruar asaj”, u shpreh kryetari Hasani.