Të martën, Gjykata Supreme në krye me prof. dr. Fejzullah Hasani, ka pritur në takim një delegacion amerikan, të udhëhequr nga kongresmeni Eliot Engel dhe ambasadorja e SHBA-së, në Kosovë, Tracey Ann Jacobson
Prishtinë, 30 qershor 2015 – Të martën, Gjykata Supreme në krye me prof. dr. Fejzullah Hasani, ka pritur në takim një delegacion amerikan, të udhëhequr nga kongresmeni Eliot Engel dhe ambasadorja e SHBA-së, në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
Kryetari Hasani vlerësoi lartë ndihmën dhe mbështetjen amerikane në fuqizimin e gjyqësorit dhe sundimit të rendit e ligjit në vend, që ishte edhe fokus i këtij takimi. Ai nuk la pa përmendur kontributin e kongresistit Engel në mbështetje të Kosovës, atë të ambasadores Jacobson, pastaj kontributin e biznesmenit shqiptaro-amerikan, i pranishëm në takim, z. Harry Bajraktari, të drejtorit të USAID-it në Kosovë, z. James Hope, etj..
Kreu i Supremes, i njoftoi të pranishmit me sfidat që po përballet gjyqësori kosovar, duke theksuar nevojën që mbështetja amerikane të vazhdoi.
Në anën tjetër, kongresisti Engel, përgëzoi të pranishmit për punën e bërë dhe siguroi kryetarin Hasani se SHBA-ja do të qëndrojë gjithmonë përkrah Kosovës si mik, aleat dhe partnerë dhe se do ta përkrah atë, që të bëhet një vend i qëndrueshëm.
Pjesë e delegacionit amerikan ishin edhe përfaqësues nga media e biznesi që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë.
Ndërkaq, në pritje të këtij delegacioni, ishin edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama – Hajrizi, gjyqtari i kësaj gjykate, Bekim Sejdiu si dhe gjyqtaret e Gjykatës Supreme, Nesrin Lushta e Valdete Daka.