Agim Maliqi
Gjyqtar i Gjykatës Supreme - Gjykata Supreme
Agim Maliqi, është gjyqtar në Gjykatën Supreme. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2001, studimet postdiplomike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Juridik, Drejtimi Penal. Provimin e jurisprudencës e kreu në vitin 2004, ndërkaq PFAL përkatësisht provimin pranues për gjyqtar e ka kryer në vitin 2005. Karrierën profesionale e filloi në pozitën e praktikantit në Gjykatën Komunale në Ferizaj, nga viti 2002 deri në vitin 2003. Nga viti 2003 deri më 2004, ka ushtruar detyrën e referentit për ekzekutime në Gjykatën Komunale në Ferizaj, kurse nga viti 2004 deri në vitin 2008, ka ushtruar detyrën e bashkëpunëtorit profesional në Prokurorinë Publike Komunale në Ferizaj. Më 25 korrik 2008 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Ferizaj, kurse me reformimin e strukturës së sistemit gjyqësor u riemërua, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda e njëkohësisht gjatë periudhës 2017-2018 ka ushtruar edhe funksionin e nënkryetarit të kësaj gjykate. Në periudhën kohore 2011 - 2016, ka qenë anëtar dhe dy vite Zëvendës-Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK).
Më 2 shkurt 2018 është dekretuar gjyqtar i Gjykatës Supreme.
Trajnues i rregullt në ish-Institutin Gjyqësor të Kosovës, përkatësisht Akademinë e Drejtësisë në Programin për Arsimin e Vazhdueshëm për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe në Programin për Arsimin Fillestar për gjyqtarë dhe prokurorë, i angazhuar me tema të ndryshme nga fusha e së drejtës penale dhe procedurës penale;
Një ndër autorët e hartimit të Protokollit të Përbashkët Referues për Institucionet e Drejtësisë për Fëmijë, e botuar në vitin 2012, nga ana e Institutit Gjyqësor të Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën e BE në Kosovë dhe UNICEF-in;
Një ndër autorët e hartimit të Modulit për Drejtësinë për Fëmijë, i botuar në vitin 2012, nga Instituti Gjyqësor i Kosovës;
Autor i publikimit në numrin e parë të revistës “Opinio Juris” në temën “Një komentim i shkurtër i shqyrtimit fillestar dhe shqyrtimit të dytë sipas dispozitave të KPP-së”.
Pjesëmarrës në një numër të madh të konferencave, trajnimeve, seminareve dhe vizitave studimore me karakter ndërkombëtar ku janë trajtuar tema të drejtësisë penale, të krimit kibernetik si dhe të drejtësisë për të mitur.
Flet gjuhën serbe dhe ka njohuri bazike të gjuhës angleze dhe gjermane.