Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka juridiksion në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gjykata Supreme përfshin Kolegjin e Apelit të Agjensionit Kosovar të Pronës si dhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e së cilës janë pjesë e Gjykatës Supreme.
Selia e Gjykatës Supreme është në Prishtinë.
Gjykata Supreme ka Kryetarin siç parashihet në nenin 103 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata Supreme shqyrton dhe gjykon lëndët në kolegj me nga tre (3) gjyqtarë profesionist, me përjashtim kur me ligj parashihet një numër më i madh i gjyqtarëve.
Aktualisht, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në përbërje të vet ka 14 gjyqtarë, përfshirë kryetarin, si dhe ka stafin tjetër mbështetes.
Në kuadër të Gjykatës Supreme funksionojnë degët gjyqësore:
- Dega penale,
- Dega civile,
- Dega administrative, si dhe
- Praktika gjyqësore.
Gjykata Supreme është kompetente të vendosë:
1.1. kërkesën për mjetet e jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave të Republikës së Kosovës, siç është paraparë me ligj;
1.2. revizionin kundër vendimeve të shkallës së dytë të gjykatave në çështjet kontestimore, siç është paraparë me ligj;
1.3. Gjykata Supreme vendos në shkallë të tretë për ankesat e lejuara me ligj;
1.4. përcakton qëndrimet parimore, nxjerr mendime juridike dhe udhëzues për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në territorin e Kosovës;
1.5. lëndët e Agjencisë Kosovare të Pronave, siç parashihet me ligj;
1.6. në Dhomën e Posaçme, lëndët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ose të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, siç parashihet me ligj;
1.7. çështje të tjera të parapara me ligj.
Qëndrimet parimore dhe Mendimet Juridike
Gjykata Supreme, në përputhje me autorizimet që dalin nga Ligji për Gjykata, mund të thërrasë një Seancë të përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të saj për nxjerrjen e qëndrimeve parimore, mendimeve juridike dhe udhëzuesve që promovojnë zbatimin unik të ligjeve.
Buletini i praktikës gjyqësore
Publikimi i Buletineve të Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës paraqet një nga mënyrat e fuqizimit të parimit të publicitetit dhe transparencës në punën e gjykatës, si dhe ofrimin e praktikës gjyqësore për audiencën e vendit dhe ndërkombëtare në fushën e promovimit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.
Përmbledhjet e vendimeve të paraqitura në Buletine, janë të zgjedhura sipas kritereve të ndryshme, sidomos sipas llojit të procedurës gjyqësore dhe rëndësisë për publikun e gjerë dhe juridiksionin e gjykatës. Këto botime do t’u ndihmojnë gjyqtarëve, ligjvënësve, juristëve, akademikëve, studentëve dhe qytetarëve në përgjithësi në studimin dhe zhvillimin e jurisprudencës së Gjykatës Supreme.