KOMPETENCAT E KOLEGJIT TË APELIT TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS
Në kuadër të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës funksionon Kolegji i Apelit i cili vendos lidhur me vendimet e:
- Komisionit për Kërkesa Pronësore të Agjencisë Kosovare të Pronave (KKP), dhe
- Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP), të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Ky kolegj merret me zgjidhjen e kërkesave lidhur me Pronën e Paluajtshme Private, si dhe me mos-pajtueshmëritë në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para Qershorit të vitit 1999, të cilat janë marrë në Kosovë nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare.
KKPK-ja ka kompetencë për zgjidhjen e kërkesave që lidhen me konfliktin, që përfshijnë rrethanat që lidhen drejtpërdrejtë ose që rezultojnë nga konflikti i armatosur, i cili ka ndodhur në Kosovë. Prandaj, paraqitësi i kërkesës ka të drejtë në një urdhër për riposedimin e pronës, nëse e vërteton të drejtën pronësore ose të drejtën e shfrytëzimit të pronës private, dhe se ai nuk është në gjendje ta ushtrojë të drejtën e tillë pronësore, për shkak të rrethanave të lidhura drejtpërsëdrejti, ose që rezultojnë nga konflikti i armatosur, i cili ka ndodhur në Kosovë në mes të 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999.
Pas përpunimit të kërkesave të palëve nga sekretaria e AKP-së, verifikimit dhe përpunimit të tyre, vendimi merret nga Komisioni për Kërkesa Pronësore i Kosovës, (tutje KKPK). Kundër vendimit të KKPK-së pala mund të paraqes ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda tridhjetë (30) ditëve pasi të marrë vendimin.
Kolegji i Apelit i Gjykatës Supreme, merr vendim në përbërje prej tre (3) gjyqtarëve, të cilët emërohen nga Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës.
Vendimet gjyqësore të këtij kolegji janë përfundimtare, (nuk mund të kundërshtohen me mjete juridike të rregullta apo të jashtëzakonshme).
KOMPETENCAT E AGJENCISË KOSOVARE PËR KRAHASIM DHE VERIFIKIM TË PRONËS
Agjencia Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës pranon, krahason dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (tutje; KVVP), zgjidh dallimet dhe mos-pajtueshmëritë në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para Qershorit të vitit 1999 të cilat janë marrë në Kosova nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare.
Përmes komisionit për kërkesa pronësore, (tutje; KKP), bëhet zgjidhja e kategorive vijuese të kërkesave që janë të lidhura me luftën në Kosovë, duke përfshirë rrethanat që drejtpërsëdrejti janë të ndërlidhura me to ose janë pasojë e saj, në periudhën ndërmjet 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999, të cilat më herët janë dorëzuar në Agjencinë Kosovare për Prona, ku parashtruesi i kërkesës aktualisht nuk është në gjendje të ushtrojë të drejtat e tilla pronësore.
Parashihet se KKP vazhdon të punon dhe të vendos kërkesat e paraqitura në AKP, deri në vendosjen e të gjitha kërkesave të pranuara, aktivizohet sipas nevojës dhe paguhet për sesionet e mbajtura.
Sipas Ligjit nr. 05/l-010, Kolegji i Apelit i Gjykatës Supreme vendos për ankesat:
- Lidhur me vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës, (KKP) dhe
- Lidhur me vendimet e Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP).
Vërejtje: KVVP i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ende nuk ka filluar të jetë funksional.
Korniza Ligjore dhe juridiksioni:
- Ligji për Gjykatat nr. 06/L-054,
- Rregullorja e UNMIK 2006/50, mbi zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e pa luajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe atë komerciale, e ndryshuar me ligjin nr. 03/L-079.
- Ligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të pronës, (Ligji nr. 05/L-010).