Prishtinë, 09 janar 2025 – Është mbajtur Seanca e parë, e Përgjithshme, e Gjykatës Supreme për vitin 2025, e drejtuar nga kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, me pjesëmarrje të të gjithë gjyqtarëve, përfshirë ata nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës.
Gjatë kësaj Seance, kryetari Rexhepi ka prezantuar Raportin Vjetor të punës së Gjykatës Supreme për vitin 2024 duke vlerësuar angazhimin e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, që ka rezultuar me shkallë efikasiteti prej 92.43 për qind. Kreu i Supremes sqaroi se ky efikasitet do të ishte edhe me i lartë, po të mos pranoheshin një numër i madh i lëndëve në muajin dhjetor nga Gjykata Komerciale, të cilat, për shkaqe teknike janë dorëzuar në fund të vitit. Kjo, sipas tij, ka ndikuar në përqindjen e efikasitetit, i cili kalkulohet duke pasur parasysh numrin e lëndëve të pranuara gjatë vitit në raport me numrin e lëndëve të kryera.
Gjatë vitit 2024, Gjykata Supreme ka kryer 2.187 lëndë derisa 391 të tjera janë të pakryera.
Si pikë e rendit të ditës, gjatë Seancës, u diskutua edhe Plani i Punës së Gjykatës Supreme për vitit 2025.
Të dy këto dokumente u miratuan nga gjyqtarët e pranishëm.