Delegacioni nga Gjykata Supreme vizitë pune në gjyqësorin anglez

Delegacioni nga Gjykata Supreme vizitë pune në gjyqësorin anglez

Prishtinë, 25 – 26 nëntor 2024 – Një delegacion nga Gjykata Supreme e Kosovës, në përbërje nga kryetari Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe gjyqtarët Mejreme Memaj, Valdete Daka e Agim Maliqi, po qëndrojnë në një vizitë pune në Angli, të shoqëruar nga përfaqësues të projektit rajonal WBROL-i.

Gjatë vizitës në Gjykatën Supreme të Anglisë, delegacioni është takuar me zëvendëskryetarin e kësaj gjykate, Lord Hodge, me të cilin janë diskutuar një varg çështjesh me interes si; roli drejtues i gjykatave të larta në vendosjen e standardeve dhe praktikave të gjykatave të shkallës së parë; balancimi i pavarësisë gjyqësore dhe llogaridhënies së duhur; zhvillimi dhe shpërndarja e udhëzimeve dhe rregullave të praktikës së procedimit penal; menaxhimi i çështjeve me fokus të veçantë në menaxhimin e gjykimeve dhe menaxhimin e kolegjeve të gjyqësorit të apelit etj..

Vizita ka vazhduar në Gjykatën Penale Qendrore të Londrës (The Old Bailey), ku delegacioni është pritur nga gjyqtari kryesor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Lord Justice Dingemans dhe gjyqtarja kryesore për Diversitet dhe Gjithëpërfshirje, Zhvillim të Lidershipit dhe Mirëqenies, Lady Justice Whipple, me Teresa Williams, shefe e Diversitetit dhe Gjithëpërfshirjes, dhe Iain McKerrow, shef i Lidershipit, Zhvillimit dhe Talentit, Burimet Njerëzore për Gjyqësorin.

Gjatë vizitës dy ditore, delegacioni është takuar me Shkëlqesinë e saj, Angela Rafferty, Komisionere Gjyqësore, Dan Mosley, shef i Politikës së Përzgjedhjes, si dhe Nicholas White, këshilltar i Lartë për Politikë, Komisioni i Emërimeve në Gjyqësor derisa gjatë ditës kanë vizituar edhe Gjykatën Magjistrate Westminster.

Pjesë e vizitës në gjyqësorin e Anglisë dhe Uellsit, përveç përfaqësuesve të gjyqësorit nga Kosova, ishte edhe delegacioni i Gjykatës Supreme nga Mali i Zi, i udhëhequr nga u.d. kryetarja e kësaj gjykate,  Vesna Vuçkoviq.

Kjo vizitë pune e të dy delegacioneve u realizua me mbështetjen e projektit rajonal WBROL-i dhe Ambasadës Britanike në Kosovë, të cilët janë një ndër mbështetësit kryesorë të Gjykatës Supreme.