Mbahet Seanca e Përgjithshme e Gjykatës Supreme – miratohet Udhëzuesi i Përgjithshëm për matjen e dënimit

Mbahet Seanca e Përgjithshme e Gjykatës Supreme – miratohet Udhëzuesi i Përgjithshëm për matjen e dënimit

Prishtinë, 8 nëntor 2024 – Nën drejtimin e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi është mbajtur Seanca e Përgjithshme e të gjithë gjyqtarëve, përfshirë ata të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Bazuar në agjendën e takimit, me vota unanime u miratua ndryshimi i Plan-Programit të Gjykatës Supreme për vitin 2024, për shkak të përfshirjes së tre gjyqtarëve të rinj në këtë Plan. 

Pikë diskutimi e këtij takimi ishte edhe revidimi i Udhëzuesit të Përgjithshëm për Politikë Ndëshkimore, dokument në të cilin, kryetari sqaroi se është punuar mbi dy vite nga Komisioni Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore dhe gjyqtarët, pjesëmarrës në këto takime. Si rrjedhim, ky dokument është bërë më i lehtë për t’u zbatuar nga ana e gjyqtarëve, për dallim nga versioni i parë, i cili, nuk kishte gjetur zbatimin e duhur.

Kreu i Supremes, shprehu mirënjohjen e thellë për Ambasadën Amerikane dhe OP-DAT-it, për mbështetjen e dhënë në përpilimin, dhe tani në revidimin e këtij udhëzuesi.

Udhëzuesi i Përgjithshëm për Matjen e Dënimit, u miratua gjatë Seancës dhe pritet të promovohet me datë 22 nëntor 2024.

Kryetari Rexhepi, pas Seancës së Përgjithshme e vazhdoi takimin me gjyqtarët e Dhomës së Posaçme, me të cilët diskutoi për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit në kryerjen e lëndëve më të vjetra se viti 2014.

Ai kërkoi nga gjyqtarët e Dhomës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që këto lëndë të vjetra të trajtohen me urgjencë.

Gjyqtarët sqaruan se lëndët e tilla janë në procedurë për t’u vendosur. Ata shpalosën disa nga problemet që e kanë përcjell ndër vite DhPGjS, që janë arsye e zvarritjes së trajtimit të këtyre lëndëve.

Gjatë takimit u dhanë disa propozime, me zbatimin e të cilave mund të rritet efikasiteti i DhPGjS.