Kryetari Rexhepi takon ekspertët e AGjN-së, pret mbështetje në realizimin e qëllimit të gjyqësorit për “gjykata pa letra”

Kryetari Rexhepi takon ekspertët e AGjN-së, pret mbështetje në realizimin e qëllimit të gjyqësorit për “gjykata pa letra”

Prishtinë, 04 tetor 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi është takuar sot me përfaqësuesit e Administratës Gjyqësore të Norvegjisë (AGJN), ekspertët Audun Hognes Berg, Amra Jasarevic dhe ekspertët e jashtëm, të angazhuar në projektin e SMIL, Esmin Berhamovic dhe Blerta Berveniku, me të cilët u diskutua zbatimi i Sistemit për Menaxhimit të Lëndëve (SMIL) në Gjykatë Supreme.

Kryetari Rexhepi i njoftoi ekspertët e AGjN-së, për funksionimin e SMIL-it në Gjykatë Supreme, duke bërë me dije se falë këtij sistemi të avancuar është rritur cilësia dhe efikasiteti i punës së gjykatave, qasja në drejtësi për palët në procedurë dhe për qytetarët.

Detaje më të hollësishme për funksionimin e SMIL dhe mundësitë që ky sistem ofron për rritje të transparencës para publikut, ekspertët morën edhe nga zyrtarët e Gjykatës Supreme, të pranishëm në takim.

Përfaqësuesit e AGJN-së, theksuan se Qeveria Norvegjeze do të shqyrtojë mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm me sistemin gjyqësor të Kosovës, përmes projekteve të reja.

Kreu i Supremes shprehu mirënjohjen e thellë për Qeverinë Norvegjeze si donator i projektit TIK/SMIL, duke potencuar se qëllimi i gjyqësorit të Kosovës është që në të ardhmen të kemi gjykata pa letra, për çka mirëpret mbështetjen e Qeverisë Norvegjeze.
Qëllimi i vizitës së ekspertëve norvegjezë në KGjK dhe gjykata, është zbatimi i aktivitetit “Analiza Funksionale e sistemit SMIL”.