Gjykata Supreme në përgatitje të dy udhëzuesve

Gjykata Supreme në përgatitje të dy udhëzuesve

Prishtinë, 02 tetor 2024 – Gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës po marrin pjesë në punëtorinë dy-ditore, në të cilën po diskutohen draft-Udhëzuesi për Rastet e Pastrimit të Parave dhe draft-Udhëzuesi për menaxhimin e proceseve gjyqësore penale, brenda gjykatave.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi e vlerësoi mbështetjen e projektit WBROL-i, për përgatitjen e këtyre udhëzuesve, përmes të cilëve do të lehtësohet puna e gjyqtarëve të instancave me të ulëta gjyqësore.

Të dy udhëzuesit janë rishikuar nga gjyqtarët e angazhuar nga Mbretëria e Bashkuar, derisa në punëtori po merr pjesë gjyqtari Dermot Keating, për të dhënë kontributin e tij në Udhëzuesin për Rastet e Pastrimit të Parave.

Bazuar në Ligjin për Gjykatat nr. 06/L – 054, Gjykata Supreme mund të thërrasë një Seancë të përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të saj për nxjerrjen e qëndrimeve parimore, mendimeve juridike dhe udhëzuesve që promovojnë zbatimin unik të ligjeve.