Prishtinë, 05 shtator 2024 – Nën drejtimin e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, është mbajtur takimi i Komisionit Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore, në të cilin morën pjesë edhe gjyqtarët e degës penale të Gjykatës Supreme dhe përfaqësuesja e zyrës së OPDAT nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Benina Kusari.
Gjatë këtij takimi janë diskutuar dhe finalizuar detajet nga takimi i fundit per revidimin e Udhëzuesit të Përgjithshëm për Politikë Ndëshkimore, dokument në të cilin, përveç përfshirjes së ndryshimeve të Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale, janë përfshirë edhe shembuj praktik për të lehtësuar përdorimin e tij nga ana e gjyqtarëve dhe profesionistëve të tjerë të fushës.Pjesëmarrësit në takim, ranë dakord që ky Draft-Udhëzues, pas përkthimit në gjuhën serbe, t’ju dërgohet të gjithë gjyqtarëve për të dhënë komentet apo sugjerimet e tyre eventuale, dhe më pas i njëjti do të prezantohet në Seancë të Përgjithshme të Gjykatës Supreme, ku duhet të marrë miratimin e shumicës së gjyqtarëve, për t’i hapur rrugë lansimit dhe përdorimit të tij.
Sikurse hartimi i Udhëzuesit të vitit 2018, ashtu edhe revidimi i tij, është realizuar me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, Zyra e OPDAT-it, dhe ka qëllim kryesor lehtësimin e punës së gjyqtarëve me rastin e matjes dhe caktimit të dënimit si dhe vlerësimit të rrethanave lehtësuese dhe rënduese.