Prishtinë, 5 qershor 2024 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, morën pjesë në publikimin e Raportit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) “Nga letra në praktikë – Vlerësimi i efektivitetit të reagimit gjyqësor ndaj krimit të rëndë të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”.
Gjatë këtij takimi, u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet kryesore të raportit, i cili ka për qëllim t’i ndihmojë institucionet relevante në adresimin e mangësive të identifikuara në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes ofrimit të rekomandimeve praktike të bazuara në gjetjet nga monitorimi i proceseve gjyqësore nga ana e projektit.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, pohoi se bashkëpunimi ndërmjet sistemit gjyqësor dhe organizatave ndërkombëtare si OSBE, është thelbësor për adresimin e sfidave dhe përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit në gjyqësor.
Po ashtu, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të raportit për të siguruar drejtësi efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.