Prishtinë, 27 tetor 2020 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci dhe u.d. gjyqtari mbikqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ilmi Bajrami, kanë pritur në takim ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, me të cilin kanë diskutuar mundësitë e zvogëlimit të numrit të lëndëve në Dhomë të Posaçme.
Ministri Selimi u shpreh i gatshëm të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë për kërkimin e një fondi emergjent nga Qeveria, përmes së cilit do të krijoheshin kushtet për zvogëlimin e numrit të lëndëve të grumbulluara në Dhomë.
Kryetari Peci e njoftoi ministrin se muajt e fundit ka pasur një progres në kryerje të lëndëve nga ana e gjyqtarëve në DhPGjS, mirëpo, numri prej 19.539 lëndëve të pazgjidhura, është e pamundur të zvogëlohet me 14 gjyqtarë, sa ka aktualisht Dhoma, dhe me numër shumë të vogël të bashkëpunëtorëve profesional.
Si rrjedhim, bashkëbiseduesit u dakorduan që të shikohen mundësitë e hapjes së pozitave të reja për
gjyqtarë dhe bashkëpunëtorë profesional, të cilët do të asistonin në zvogëlimin e numrit të lëndëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.