Prishtinë, 2 prill 2019 – Është mbajtur konferenca e Komisionit për Politikë Ndëshkimore, gjatë të cilës, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, njëherësh kryesues i këtij komisioni, ka prezantuar para kryetarëve të gjykatave, atyre të degëve, kryeprokurorëve, gjyqtarëve dhe shoqërisë civile, raportin me titull “Analiza për matjen e dënimeve te rastet e korrupsionit”. Kryetari ka…
Prishtinë, 2 prill 2019 – Është mbajtur konferenca e Komisionit për Politikë Ndëshkimore, gjatë të cilës, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, njëherësh kryesues i këtij komisioni, ka prezantuar para kryetarëve të gjykatave, atyre të degëve, kryeprokurorëve, gjyqtarëve dhe shoqërisë civile, raportin me titull “Analiza për matjen e dënimeve te rastet e korrupsionit”.
Kryetari ka elaboruar punën e komisionit, përkatësisht analizën që u është bërë rasteve të korrupsionit, duke shfaqur njëkohësisht edhe shqetësimin për mos-aplikim të duhur të dispozitave ligjore.
Raporti i prezantuar ka përfshirë analizën e njëzet e shtatë (27) rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2018, të cilat janë zgjedhur rastësisht, në mesin e 204 aktgjykimeve të kësaj natyre. Tek këto raste, Komisioni ka analizuar: dënimet e shqiptuara; ato plotësuese; rrethanat lehtësuese dhe rënduese; aplikimin e dënimit me kusht; krahasimin e veprave të ngjashme dhe dënimet përkatëse të shqiptuara; analizën e arsyetimit të dhënë për përdorimin e rrethanave lehtësuese në veçanti kur dënimi i shqiptuar është nën minimumin e paraparë me ligj etj..
Përgjithësisht dënimet e shqiptuara për këto vepra penale nga gjykatat e shkallës së parë variojnë nga 6 deri në 60 muaj.
Gjithsej tetë (8) të pandehurve iu shqiptuan dënime me kusht. Dëmi i specifikuar në këto lëndë përfshinte pasurinë deri në 65,000.00 euro.
Sipas nenit 422 të Kodit Penal në fuqi, dënimi i paraparë është 6 muaj deri në 5 vjet. Si pjesë e kësaj analize rezulton se përgjithësisht dënimet variojnë nga 6-18 muaj.
Vërejtjet e kryetarit konsistuan edhe në mungesën e arsyetimit të rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese.
Sipas gjetjeve të raportit, rrethanat kryesisht vetëm janë përmendur në vendim, por në përgjithësi, me pak përjashtime, pesha e tyre në kalkulimin e dënimit nuk është shpjeguar.
Rrethanat rënduese të cilat janë marrë parasysh në këto vepra përfshijnë; dëmtimin e reputacionit të shtetit; mënyra dhe rrethanat e krimit; shkalla e përgjegjësisë penale; rreziku shoqëror; dashja; dënimi i mëparshëm; humbja e kredibilitetit/besimit të publikut etj..
Kreu i Supremes, vuri në pah faktin se veprat e korrupsionit duke pasur parasysh se kryesisht kryhen nga personat me autorizime zyrtare, siç theksohet edhe në disa nga vendimet e gjykatës, po e dëmtojnë besimin e publikut në institucion, ndaj meritojnë më shumë vëmendje edhe gjatë matjes të dënimit.
Gjatë diskutimeve nga të pranishmit ka pasur vërejtje edhe sa i përket moshës, si rrethanë lehtësuese, duke potencuar se gjykatat nuk e kanë qartësisht të definuar se si faktori moshë aplikohet në zbutje.
Kryetari Peci kërkoi nga gjyqtarët që në çdo rast, matjen e dënimit të fillojnë nga pika startuese, në pajtim me parimet dhe udhëzimet e dhëna në Udhëzuesin për Politikë
Ndëshkimore, e më pas të bëjnë peshimin e rrethanave lehtësuese dhe rënduese.
Konferenca e sotme u organizua nga Gjykata Supreme me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.