Prishtinë, 19 shkurt 2019 –Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka pritur sot në takim këshilltarin e Lartë për Masat Kundër Korrupsionit në Zyrën Qendrore të UNDP-së, Euywhan Kim, dhe përfaqësuesit e UNDP-së në Kosovë, Mato Meyer dhe Albert Avdiu.
Me këtë rast, kryetari Peci, e ka njoftuar Euywhan Kim me funksionimin e Gjykatës Supreme, duke potencuar angazhimin rreth unifikimit të praktikës gjyqësore, posaçërisht në rastet e korrupsionit.
“Jemi sistem që po mundohemi të konsolidohemi, dhe aktualisht, sa i përket politikës ndëshkimore, me ndihmën e UNDP-së dhe Ambasadës Amerikane, jemi në fazën e analizave. Rastet e korrupsionit po analizohen se sa gjykatat u janë përmbajtur arsyetimeve ligjore, a janë dhënë arsyetime të mjaftueshme për rrethanat lehtësuese dhe rënduese”, sqaroi kryetari para mysafirëve, duke vënë në pah se tanimë, sistemi gjyqësor nuk po merret vetëm me numra, se sa lëndë janë kryer, por edhe me cilësinë e aktgjykimeve dhe zbatimin konkret të ligjit, analizimin e aplikimit të ligjit.
Kreu i Supremes, theksoi brengosjen që ekziston si pasojë e politikës ndëshkimore aktuale, por njëkohësisht u shpreh optimist se në vitet e ardhshme, gjykatat do t’i harmonizojnë dënimet për veprat e ngjashme penale.
Në anën tjetër, eksperti i UNDP-së, Kim, i dha disa sugjerime kryetarit Peci, lidhur me luftimin e korrupsionit në vend, duke theksuar nevojën e vlerësimit të integritetit të gjyqtarëve, si një nga masat parandaluese në luftën kundër korrupsionit.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në të ardhmen, në gjetjen e mënyrave për luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimi të ligjit në vend dhe kthimin e besimit të publikut në gjyqësor.