Praktikantë nga gjykata dhe prokuroria në Mitrovicë, vizitojnë Gjykatën Supreme

Praktikantë nga gjykata dhe prokuroria në Mitrovicë, vizitojnë Gjykatën Supreme

Prishtinë, 5 nëntor 2018 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, ka pritur në takim mbi tridhjetë praktikantë, shqiptarë e serbë të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe degëve të tyre në Vushtrri, të cilët vizituan Gjykatën Supreme nën organizimin e OSBE-së.

Në këtë takim, kryetari Peci, përveç që foli për organizimin e pushtetit gjyqësor në vend, sqaroi para praktikantëve, në detaje, për kompetencën lëndore të Gjykatës Supreme dhe mënyrën e vendosjes në instancën e fundit gjyqësore.

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/foto2.jpg

Tutje kryetari bëri me dije se mjetet juridike, si Kërkesat për Mbrojtje të Ligjshmërisë janë kërkesat më të shpeshta drejtuar Gjykatës Supreme, për çështjet penale, ndërkaq revizionet kundër vendimeve të gjykatës së shkallës së dytë, në çështjet kontestimore, janë mjeti juridik më i shpeshtë, drejtuar gjykatës.

Ajo, që sipas kryetarit duhet ta mbajnë në mend praktikantët, është fakti se Gjykata Supreme, shqyrton dhe vendos vetëm më pretendimet në kërkesë dhe nuk ka të drejtë ex-officio të merret me shkeljet tjera, eventuale, në aktgjykim.

“Po ashtu, nëse Gjykata konstaton se në vendimin e gjykatave të shkallëve më të ulëta, është shkelur ligji në dobi të të akuzuarit, vetëm e konstaton këtë, ndërsa nuk ka të drejtë që ta ndryshojë aktgjykimin, p.sh., nëse i akuzuari është liruar, Gjykata Supreme nuk ka të drejtë ta dënojë. Vetëm e konstaton shkeljen.

Kreu i Supremes potencoi para vizitorëve edhe kompetencën më të rëndësishme të Gjykatës Supreme, atë të përcaktimit të mendimeve juridike dhe qëndrimeve parimore, të cilat merren nga Gjykata Supreme me qëllim të zbatimit unik të ligjeve në gjykatat e vendit.

Praktikantët morën përgjigje nga kryetari, në pyetjet e shtruara, ku u interesuan më shumë se si zbatohen në praktikë vendimet e shkallës së fundit gjyqësore; cilat kushte duhet plotësuar për të ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme etj..

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/foto3.jpg

Kjo vizitë e praktikantëve të gjykatës dhe prokurorisë në Mitrovicë dhe degëve të tyre në Vushtrri, u organizua me qëllim që juristët e rinj të njihen më afër me praktikat gjyqësore.

Praktikantët, pas vizitës në Gjykatë Supreme, vizituan edhe Gjykatën Themelore në Prishtinë.