Shkup, 16 mars 2018 – Me ftesë të AIRE Centre dhe Civil Rights Defenders, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, i shoqëruar nga gjyqtari Agim Maliqi, po marrin pjesë në Forumin e pestë rajonal mbi Sundimin e Ligjit në Evropën Juglindore, i cili po mbahet sot, në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup.
Përmes këtij Forumi po synohet promovimi dhe zbatimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar, inkurajimi i bashkëpunimit rajonal në zhvillimin e vazhdueshëm të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, dhe përkrahja e procesit të integrimit të rajonit në BE.
Tema e Forumit 2018, është ndalimi i torturës, dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore apo poshtëruese sipas nenit 3 të Konventës.
Diskutimet e pjesëmarrësve në Forum, janë fokusuar në obligimet pozitive të shtetit dhe mbi zbatueshmërinë e nenit 3 gjatë paraburgimit, keqtrajtimit të personave veçanërisht të lëndueshëm, siç janë fëmijët, dhe ata me probleme mendore, keqtrajtimi i emigrantëve si dhe përdorimi në procedimet penale, të dëshmive të nxjerra përmes torturës.
Përveç nga Kosova, ky forum ka mbledhur rreth vetës, edhe pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, duke përfshirë përfaqësues të gjykatave supreme dhe gjykatave kushtetuese të vendeve të rajonit, kryesues të këshillave gjyqësore, drejtues të akademive dhe institucioneve trajnuese gjyqësore, agjentë qeveritarë pranë Gjykatës së Strazburgut dhe përfaqësues të OJQ-ve e ekspertë të njohur lokal të fushës. Nuk kanë munguar as gjykatësit nga rajoni, të cilët punojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.