Prishtinë 02 dhjetor 2017 – Me rastin e konferencës vjetore gjyqësore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve, theksoi rëndësinë e rritjes së performancës, përgjegjësisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës në gjykata.
Ai bëri me dije se Gjykata Supreme ka qenë mjaft e angazhuar për të jetësuar reformën në sistemin gjyqësor, si përmes vendimeve unifikuese, mendimeve juridike si dhe kontakteve të vazhdueshme me gjykata dhe gjyqtarë të të gjitha niveleve.
Pavarësisht përmirësimeve, kryetari Peci, vuri në dukje se disa gjykata ende janë të stërngarkuara me raste e që, sipas tij, për pasojë edhe cilësia e vendimeve gjyqësore nuk është në nivelet e kërkuara. “Shpesh konstatohen vendime të paarsyetuara mirë, jo objektive, në përmbajtjen e të cilave rezulton se nuk janë shqyrtuar në mënyrën tërësore të gjitha kërkesat e palëve dhe provat e paraqitura në gjykim. Për pasojë në mjaft raste konstatohen vendime të dobëta, të paqarta e kontradiktore. Sigurisht që, këto vendime bëhen të cenueshme nga gjykatat më të larta, e në mjaft raste kjo çon në gjykimin e rigjykimin për vite me radhë të së njëjtës çështje”, potencoi ai.
Tutje, kreu i Supremes, foli edhe për luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar angazhim më të madh nga kolegët gjyqtarë. Në këtë drejtim, ai falënderoi mediat, të cilat kanë kontribuar në zbulimin e rasteve korruptive.
“Është fakt se shpesh, mjaft nga ne, gjatë kontrollit vertikal të vendimeve gjyqësore ndeshemi me probleme jo të vogla, lidhur me marrjen e provave, arsyetimin e
vendimeve, zbatimin e ligjit material dhe procedural nga gjykatat e të gjitha niveleve, të cilat në rastin më të mirë do të mund të konsideroheshin si mungesë e theksuar profesionalizmi. Në këto kushte, padyshim që duhet të reagojmë të gjithë së bashku. Në radhë të parë ne gjyqtarët duhet të rrisim profesionalizmin dhe forcojmë integritetin, si e kundërta e korrupsionit. Është aftësia për të dalluar të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara, dhe mbi këtë bazë, aftësia për t’i marrë vendimet respektive, vetëm si rezultat i analizës dhe bindjes që krijohet në çdo rast konkret.. Sepse pikërisht kjo na përcakton si qenie të përgjegjshme. Vetëm nëse vendimet merren në bazë të bindjes së brendshme, kemi edhe qetësinë e duhur shpirtërore ndaj palëve dhe detyrës që na është besuar. Ka më shumë vend për transparencë e komunikim të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm me publikun. Ka më shumë vend për debat, analiza e kritika profesionale të vendimeve gjyqësore nga masa”, u shpreh kryetari.
Ai potencoi se krahas luftës kundër korrupsionit duhet mbrojtur dhe forcuar statusin e gjyqtarit dhe trajtimin e tij me dinjitet. “Duhet pasur parasysh se puna e tij është shpesh delikate dhe e vështirë. Përballë gjyqtarit qëndrojnë çdo ditë kriminelë, njerëz në konflikte të ashpra me njeri-tjetrin dhe ligjin, qëndrojnë interesa të rëndësishme private dhe shtetërore, interesa të partive politike dhe njerëzve të veshur me pushtet. Në këto rrethana, padyshim që duhen marrë më shumë masa që gjyqtarët të ndjehen të vlerësuar, të qetë, të lirë, të pavarur dhe të mbrojtur nga shoqëria dhe shteti.. Prandaj kërkohet mirëkuptim e bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet tre pushteteve, shoqërisë civile e medias”.
Në fund, kryetari kërkoi edhe përfundimin e misionit të EULEX-it, duke vënë në pah se gjyqësori vendorë i ka energjitë dhe kapacitetet e nevojshme profesionale për të përballuar me sukses sfidat dhe se, tashmë, Kosova duhet të përballet vet me problemet e saja si shtet i pavarur dhe sovran.