Selanik 04 tetor 2017 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci bashkë me gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe me kolegët nga Gjykata Kushtetuese kanë marrë pjesë në punëtorinë me temën “E drejta për vendim të arsyetuar”, e cila u mbajt më 3-4 tetor në Selanik të Greqisë.
Punëtoria është moderuar nga Dr. Michaela Wittinger, profesor i të Drejtës Publike, të Drejtës Kushtetuese dhe të Drejtës Evropiane në Universitetin Federal të Shkencave të Aplikuara Administrative në Brühl, dhe nga Dr. Otto Mallmann, ish gjyqtar kryesues në Gjykatën Federale Administrative ne Laipcig.
Krerët e të dy gjykatave dhe gjyqtarët pjesëmarrës diskutuan gjerësisht mbi të drejtën për vendim të arsyetuar duke marrë shembuj aktgjykime të ndryshme. Ata, gjithashtu vlerësuan dobinë e organizimeve të tilla të punëtorive, përmes të cilave vihen në pah praktikat më të mira gjyqësore.
Kjo punëtori është organizuar nga Gjykata Kushtetuese në bashkëpunim me Fondacionin gjerman për bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ).