Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, të mërkurën mbajti konferencën vjetore për media, duke prezantuar para gazetarëve Raportin Vjetor të punës së gjykatës (2015)
Prishtinë, 16 dhjetor 2015 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, të mërkurën mbajti konferencën vjetore për media, duke prezantuar para gazetarëve Raportin Vjetor të punës së gjykatës (2015), numrin e lëndëve të punuara, numrin e lëndëve të trashëguara, efikasitetin e gjyqtarit në zgjidhje të lëndëve, të dhëna për mendimet juridike të marra këtë vit, procesin e decentralizimit të kompetencave nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor tek gjykatat, aktivitetet e organizuara nga gjykata etj..
“Mund të them se jemi brenda të gjitha standardeve sa i përket procedimit të çështjeve”, u shpreh kryetari para gazetarëve duke shtuar se “Këtë e them, për faktin se ne procedojmë çështje të vitit 2015. Ndërkohë që mund t’i shihni në statistika të vendeve të regjionit, ku afati i pritshmërive është mbi një vit, ndërsa ne nuk kemi lëndë të vitit 2014, por po i procedojmë ato të vitit 2015”. Megjithatë, kreu i Supremes nuk ka mohuar ekzistimin e problemeve në gjyqësor. Në punën tonë ndikon, jo vetëm performanca që ne e bëjmë si gjykatë, por edhe nivelet tjera, duke filluar nga gjykatat themelore, ajo e Apelit, dhe kur ato kalkulohen, paraqesin punën e gjithmbarshme të gjyqësorit, që për fat të keq nuk del mirë”, nënvizoi ai. Tutje, Prof. Dr. Hasani, ka prezantuar para përfaqësuesve të mediave, statistikat lidhur me lëndët në Gjykatë Supreme.
“Gjykata Supreme këtë vit ka pranuar 969 lëndë të reja, ndërkohë që ka kryer 964 lëndë. Në punë gjithsej, gjatë vitit 2015 kanë qenë 1104 lëndë, ndërsa të pakryera rezultojnë 140 sosh. Sikurse vitin paraprak, edhe këtë vit, lloji më i madh i lëndëve të pranuara është ai për revizion, me 335 lëndë të pranuara dhe me 381 të kryera. Pas tyre vijnë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë “PML”, me 281 lëndë të pranuara dhe 247 të kryera. Pastaj vijnë kërkesat për zbutje të dënimit “PZD”, ku të pranuara rezultojnë 198, të kryera 186 lëndë të tilla”.
Gjatë konferencës, Prof. Dr. Hasani ka folur edhe për rolin e Gjykatës Supreme në procesin e zbatimit unik të ligjit në territorin e Kosovës, “Këtë rol, Gjykata Supreme e bënë përmes vendimeve të saj dhe përmes qëndrimeve parimore dhe mendimeve juridike që merr. Është mandat kushtetues dhe ligjor i Gjykatës Supreme që kur vëren se ka shpërputhje në aspektin e dispozitave ligjore në gjykatat e ndryshme, përmes mendimeve juridike të ndikojë që çështjet të harmonizohen dhe të aplikohen në mënyrë unike në territorin e Kosovës”.
Kreu i Supremes vuri në pah edhe mungesën e gjyqtarëve në Gjykatë Supreme, duke theksuar se, ndonëse kjo gjendje nuk ka reflektuar shumë në aspektin e procedimit të çështjeve, për shkak të angazhimit të gjithë gjyqtarëve, megjithatë, mungesa e tyre ka impaktin e vet negativ në kuptimin e prodhimit të drejtësisë, si Gjykatë Supreme, dhe në kuptim të funksionimit të të gjitha trupave, të gjitha degëve.
Kryetari foli edhe për çështjen e decentralizimit të kompetencave nga SKGJK tek gjykatat, duke shprehur bindjen se falë këtij procesi, mbarëvajtja e punëve në gjykata do të bëhet në mënyrë shumë më efektive.
Buletinin e Gjykatës Supreme e ka prezantuar gjyqtarja dhe kryeredaktorja e Këshillit Botues, Nesrin Lushta, e cila bëri me dije se synimi i buletinit është që norma, ligji të interpretohet në mënyrë të drejtë, të bëhet unifikimi i praktikes gjyqësore, që puna e Gjykatës Supreme të jetë transparente dhe të lehtësohet puna e gjyqtarëve.
Gjyqtarja Lushta qartësoi se, në Buletin janë përfshirë lëmia civile, penale dhe administrative, edhe sa iu përket mendimeve juridike edhe praktikës gjyqësore. Ajo falënderoi OSBE-në, si mbështetëse e botimit të këtij buletini, duke theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdoi.
Gjatë konferencës, kryetari Hasani u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, të cilat u orientuan në mendimet e dhëna juridike, në imazhin e gjyqësorit, çështjet e korrupsionit etj..
Ndryshe, në fund të konferencës, është bërë promovimi i bibliotekës së Gjykatës Supreme, me ç’rast kryetari Hasani, duke çmuar lartë rëndësinë e këtij investimi, ka falënderuar UNDP-në, e cila ishte mbështetëse e këtij projekti.