Të rritet profesionalizmi, të largohen të korruptuarit

Të rritet profesionalizmi, të largohen të korruptuarit

Kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, ka marrë pjesë në Konferencën e pestë Gjyqësore të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Prishtinë, 5 dhjetor 2015 – Të shtunën, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, ka marrë pjesë në Konferencën e pestë Gjyqësore të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me mbështetjen e OSBE-së, të cilën e ka konsideruar  të një rëndësie të veçantë. Prof. Dr. Hasani, gjatë fjalimit të tij, ka theksuar para të pranishmëve, nevojën e rritjes së profesionalizimit, në mesin e gjyqtarëve dhe forcimin e integritetit të gjyqësorit. “Në këtë betejë të rëndësishme kërkohet edhe bashkëpunimi konstruktiv me të gjithë akterët e tjerë të sistemit të drejtësisë, me degët e tjera të pushtetit shtetëror, shoqërinë civile e veçanërisht me median. Është e qartë që betimi solemn që kemi bërë të gjithë ne me marrjen e detyrës, se do të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet, paraqet parimin themelor të angazhimit tonë. Në këto kushte, sigurisht që qëndrimet tona të përbashkëta duhet të jenë të vendosura, të qarta e të pa tolerueshme. Sistemi i drejtësisë duhet të spastrohet nga gjyqtarët e korruptuar e të papërgjegjshëm, të cilët përmes vendimmarrjes abuzive cenojnë rëndë themelet e shtetit demokratik, cenojnë rëndë të drejtat e qytetarëve, cenojnë rëndë imazhin dhe punën tonë”, është shprehur kreu i Supremes duke nënvizuar se të gjithë së bashku, e sidomos Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duhet të luftojë më shumë me qëllim që gjyqësori të forcojë integritetin dhe profesionalizmin, duke mos i lënë vend frymës së nënshtrimit politik dhe influencave tjera të dyshimta. “Vetë gjyqësori duhet të luftojë efektivisht për t’u pastruar nga një pakicë e korruptuar dhe të fitojë besimin e publikut”, theksoi ai.

Gjatë kësaj konference është bërë edhe publikimi i Buletinit të II-të të Gjykatës Supreme, për rëndësinë e të cilit, kanë diskutuar paneli nga Bordi Redaktues i Gjykatës Supreme të Kosovës.

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/hs.jpg

Fjalimin e plotë të kryetarit Fejzullah Hasani, e gjeni në vijim:

 

~ Fjalim ~

 

E Nderuara znj. Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës,
i nderuari, z Greg Delaëie, ambasador i SHBA-ve;

I nderuari z. Samuel Zhbogar, Kryesues i BE-së në Kosovë,

I nderuari z. Jean-Claude Schlumberger, Ambasador i OSBE-se në Kosovë

I nderuari z. Enver Peci, Kryesues i KGJK-së,
I nderuar z. Aleksander Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit
I nderuar Prof. Harjedin Kuqi, Ministër i Drejtësisë,

Të Nderuar kolegë gjyqtarë,

 

Të nderuar të pranishëm,

 

 

Mbledhja vjetore e Konferencës Gjyqësore e këtij fund viti për shumë arsye është e një rëndësie të veçantë. Me këtë rast dua të përmend vetëm nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim e Asociim dhe përballjen e gjyqësorit me sfidat e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Duhet te kemi parasysh se rruga drejt integrimeve, para se gjithash, trasohet nga ne, e vlerësohet mbi atë se si gjyqësori dhe gjykatat i shërbejnë ndërtimit të sundimit të rendit dhe të ligjit.  

 

Sot më tepër se kurrë, me të drejtë kërkohet nga të gjithë rritja e performances, përgjegjësisë dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, e në veçanti e pushtetit gjyqësor. Dhe kjo kërkohet jo vetëm për shkak të integrimit, por në radhë të pare, e mbi të gjitha për shkak të nevojës urgjente për t’i shërbyer e për të mbrojtur sa më mirë interesat e qytetarëve, për të konsoliduar demokracinë e brishtë dhe për të forcuar shtetin e së drejtës. Sigurisht që në këtë kuadër, nuk ka asnjë tryezë apo forum më të mirë se sa kjo Konferencë, për të bërë bilancin e punës sonë të përbashkët dhe për të diskutuar për problemet, sfidat, të metat dhe korrigjimin e tyre në të ardhmen.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Gjyqësori në Kosovë është ndërtuar mbi një bazë të shëndoshë kushtetuese e ligjore bashkëkohore, por përvojat e këtyre viteve, që nga paslufta e deri më sot, na kanë treguar se ka ende nevojë për reforma ligjore e strukturore, për të cilat duhet të angazhohen seriozisht që të gjithë. Drejtësia nuk është qëllim në vetvete. Ajo jepet për qytetarët dhe duhet të perceptohet prej tyre si e tillë. Ata duhet ta ndjejnë thellë që drejtësia është e pavarur, e paanshme, e ndershme, e barabartë për të gjithë dhe e përgjegjshme.

 

Personalisht, jam i bindur se shumica prej jush punoni me seriozitet, përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim, me bindjen se drejtësia është e shenjtë dhe se ne kemi fatin e madh të jemi në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve. Megjithatë, është fakt se aktualisht besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është në kuota mjaft të ulëta. Duhet të kem parasysh se besimi i qytetarit tek drejtësia është një nga vlerat më të çmuara që kultivohet në një shoqëri demokratike. Fakti që sondazhet e kohëve të fundit tregojnë se perceptimi negativ i tyre për korrupsionin në drejtësi është rritur dhe besimi tek drejtësia është ulur, duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe duhet t’i angazhojë seriozisht institucionet përgjegjëse për të marrë masa efektive për ndryshime të shpejta pozitive. Kjo kërkon analiza të thella, ide e vizione të qarta, strategji të mirë-projektuara, vendosmëri e përkushtim.

 

Të gjithë e pranojnë se korrupsioni është humbja e shpresës për të ardhmen dhe është bërë zakon të thuhet se korrupsioni cenon direkt imazhin e gjyqësorit në sytë e shoqërisë. Megjithatë, unë mendoj se dëmi apo efektet negative të korrupsionit janë shumë më tepër së kaq. Ai pengon zhvillimin e vendit; cenon rënd paqen dhe sigurinë sociale; nxit arbitraritetin dhe vetëgjyqësinë; toleron dukshëm cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Sepse përmes korrupsionit në vend të drejtësisë jepet padrejtësi. Nëse gjyqtari e jep vendimin për shkak se është korruptuar nga palët apo për shkak të favoreve të padrejta ndaj subjekteve të caktuara, atëherë sigurisht që nuk mund të flitet më për drejtësi, sepse nuk ka më gjykatë të pavarur e të paanshme, të cilat janë realisht vlerat kryesore të saj.

Kolegë gjyqtare,

 

Për dallim nga tjerët, gjyqësori të vetmin argument ka vendimet dhe gjykata flet vetëm nëpërmjet tyre. Vendimi gjyqësor përbën pikën kulmore të procesit, përmes të cilit i jepet zgjidhje përfundimtare konfliktit, dhe në këtë kontekst një vendim gjyqësor për t’u konsideruar me cilësi të lartë, duhet të perceptohet nga palët se është rezultat i aplikimit të drejtë të ligjit, i një procesi të rregullt dhe një vlerësimi të duhur të fakteve. Vetëm kur palët të krijojnë bindjen se çështja e tyre është marrë në konsideratë dhe është trajtuar në mënyrë korrekte e shterruese nga gjykata, atëherë vetë ato, si dhe shoqëria në tërësi, do ta perceptojnë vendimin gjyqësor si një faktor kyç për rivendosjen e drejtësisë, rivendosjen e paqes dhe harmonisë sociale.

 

Në këto kushte, padyshim që duhet të reagojmë të gjithë së bashku. Në radhë të parë ne gjyqtarët duhet të rrisim profesionalizmin dhe forcojmë integritetin. Në këtë betejë të rëndësishme kërkohet edhe bashkëpunimi konstruktiv me të gjithë aktoret e tjerë të sistemit të drejtësisë, me degët e tjera të pushtetit shtetëror, shoqërinë civile e veçanërisht me median. Është e qartë që betimi solemn që kemi bërë të gjithë ne me marrjen e detyrës, se do të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet, paraqet parimin themelorë të angazhimit tonë. Në këto kushte, sigurisht që qëndrimet tona të përbashkëta duhet të jenë të vendosura, të qarta e të pa tolerueshme. Sistemi i drejtësisë duhet të spastrohet nga gjyqtarët e korruptuar e të papërgjegjshëm, të cilët përmes vendimmarrjes abuzive cenojnë rënd themelet e shtetit demokratik, cenojnë rënd të drejtat e qytetarëve, cenojnë rënd imazhin dhe punën tonë.

 

Tani dikush këtu mund të theksoj se: “kryetar kemi bërë edhe përparime”. Nuk e mohoj. Ka shumë ndryshime pozitive nga ajo se ku kemi qene dhe ku gjendemi sot. Megjithatë, unë mendoj se vetë gjyqësori ka ende mungesë vetë-organizimi, vetë-funksionimi e vetë-administrimi, gjë që nuk duhet ta lejojmë të vazhdojë kështu më në të ardhmen. Të gjithë ne së bashku, e sidomos Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duhet të luftojmë më shumë me qëllim që gjyqësori të forcojë integritetin dhe profesionalizmin, duke mos i lënë vend frymës së nënshtrimit politik dhe ndaj influencave të tjera të dyshimta. Vetë gjyqësori duhet të luftojë efektivisht për t’u pastruar nga një pakicë e korruptuar dhe të fitojë besimin e publikut.

 

Në këtë kuadër, përsëris se një kontribut me vlerë mund dhe duhet të japë Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Detyrë e Këshillit nuk është vetëm takimi mes anëtarëve të saj dhe shpërndarja e privilegjeve e caktimi i pozitave në kuadër të sistemit. Ajo ka si detyrë që të paraqesë rekomandime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të pushtetit gjyqësor. Roli i saj duhet të jetë më substancial dhe më i dukshëm jo vetëm nga institucionet e tjera shtetërore por edhe nga qytetaret dhe media. Këshilli duhet të shërbeje si një forum i konceptimit, diskutimit, përpunimit dhe hartimit të ideve, projekteve dhe platformave konkrete e të zbatueshme zhvillimore, për dhe në bashkëveprim me të gjitha gjykatat, dhe këtë detyrë ajo mund dhe duhet ta luajë nëpërmjet angazhimit serioz, si dhe pjesëmarrjes aktive të strukturave të saj në procesin e reformave ligjore e institucionale të pushtetit gjyqësor.

 

Andaj, motoja jonë, por edhe e kësaj konference duhet te jetë “Përmirësimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të sistemit gjyqësor, në funksion të rritjes së pavarësisë si dhe të efiçencës së punës në administrimin e drejtësisë sipas standardeve bashkëkohore”. Vullneti dhe përkushtimi për një gjyqësor më të mirë dhe profesional, duhet të burojë së pari nga vetë gjyqësori, dhe ky vetë duhet të jetë promotori i ndryshimeve të cilat sjellin risi pozitive në sistemin gjyqësor.

 

Në fund, duke ju falënderuar për vëmendjen, uroj zhvillimin e frytshëm të punimeve të kësaj Konference.

 

Prof. Dr. Fejzullah Hasani !