“Opinio Juris” një resurs shtesë për profesionistët

“Opinio Juris” një resurs shtesë për profesionistët

Instituti Gjyqësor i Kosovës ka promovuar revistën juridike “Opinio Juris”, me ç’rast kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, si anëtar i redaksisë së revistës, mbajti një fjalë rasti

Prishtinë, 2 dhjetor 2015 – Të mërkurën, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka promovuar revistën juridike “Opinio Juris”, me ç’rast kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, si anëtar i redaksisë së revistës, mbajti një fjalë rasti.

Kryetari Hasani theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që do të ketë kjo revistë për gjyqtarët, prokurorët dhe profesionistët tjerë ligjorë. Ai adresoi një falënderim të veçantë për stafin e IGJK-së, Këshillin Redaktues të revistës, autorët për punën dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij botimi si dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP – për mbështetjen në publikimin e këtij botimi dhe ndihmën e vazhdueshme në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.  

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_4383.JPG

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat, nga paslufta e deri më sot, që po përcjellin shoqërinë kosovare dhe shtetin e ri të Kosovës në të gjitha fushat, e sidomos në sektorin e sundimit të ligjit. Sundimi i ligjit nuk mjafton vetëm me kompletimin e kornizës ligjore për t’i mbuluar fushat shoqërore që duhen rregulluar. Mbi të gjitha nënkupton qeverisje mbi bazën e ligjeve, llogaridhënien dhe përgjegjësinë individuale e institucionale, kontroll të zbatimit dhe trajtim të barabartë për të gjithë pa dallim”, u shpreh kreu i Supremes, prof.. dr. Hasani, duke shtuar se përkundër progresit në këtë sektor, ende kemi shumë punë për të bërë.  Sipas tij, edhe më tej është e nevojshme mbështetja dhe përkushtimi i shtuar për të siguruar zhvillimin e kapaciteteve, arsimimin dhe ngritjen e diturisë së kryeseve të punëve në sektorin e drejtësisë, duke bërë përpjekje maksimale që të ofrojmë një qasje efektive në drejtësi, përmes ofrimit dhe përvetësimit të njohurive profesionale për t`ju përgjigjur kërkesave të kohës; krijimin e aftësive për të interpretuar ligjin dhe për të zgjidhur çështjet pa ndikime te brendshme ose influenca te jashtme.

“Dhe pikërisht, një nga qëllimet e revistës “Opinio Juris”, e cila përmbledh artikuj akademikë mbi shpjegimin e koncepteve kryesore të së drejtës dhe mbi tema të ndryshme ligjore, është të nxisë debatin profesional mbi çështjen e së drejtës dhe mbi zhvillimet ligjore, gjyqësore e doktrinale në nivel vendi, pse jo edhe atë ndërkombëtare; të ndihmojë lexuesit me informacion të dobishëm mbi procedurat gjyqësore, mundësitë e qasjes në gjykata, të përfitimit të ndihmës juridike përmes instituteve të ndryshme, dhe mbi zhvillime tjera të rëndësishme në këtë fushë që eventualisht do të ndikojnë në rritjen e njohurisë dhe të aftësisë  juridike për të interpretuar dhe zbatuar ligjet e normat e tjera juridike”, potencoi kryetari Hasani. Ai sqaroi para të pranishme se numri i parë i revistës “Opinio Juris” përmban artikuj nga fusha penale dhe civile; shpjegim të nocionit të barabarësisë para ligjit; rëndësinë e instituteve të reja si Ndërmjetësimi, Përmbarimi, dhe efektet e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit etj..

Në këtë ceremoni me fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtuan edhe Besim Morina, U.D. i drejtorit të IGJK-së, znj. Virgjina Dumnica, përfaqësuese e UNDP-së dhe z. Agim Maliqi, gjyqtar dhe anëtar i një punimi në revistë.

Folësit theksuan rëndësinë e botimit të kësaj reviste duke e cilësuar si një resurs shtesë në bibliotekën ligjore për profesionistët e fushës.