Të hënën, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani ka mbajtur takim me gjyqtarët e kësaj gjykate, ku është diskutuar për draft ligjin më të ri për Pagat e Zyrtarëve të Lartë, sipas të cilit draft, pozita e kryetarit dhe gjyqtarëve të Supremes është denigruese dhe e papranueshme
Prishtinë, 26 maj 2015 – Të hënën, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani ka mbajtur takim me gjyqtarët e kësaj gjykate, ku është diskutuar për draft ligjin më të ri për Pagat e Zyrtarëve të Lartë, sipas të cilit draft, pozita e kryetarit dhe gjyqtarëve të Supremes është denigruese dhe e papranueshme.
Kryetari Hasani ka theksuar nevojën urgjente të rishikimit të këtij draft ligji, i cili ka shpërfillur pushtetet në Kosovë, duke injoruar Gjykatën Supreme, si pushtet i tretë në vend dhe ekuivalent me pushtetin legjislativ dhe me atë ekzekutiv. Derisa Kryeprokurori i Shtetit, Kryesuesi i KGJK-së dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese janë ranguar në një pozitë me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kryetari i Gjykatës Supreme është lënë në rang të dytë me nënkryetarin e Kuvendit zv/kryeministrat dhe Avokatin e Popullit.
Për të pranishmit ishte e çuditshme se si Kryeprokurori i Shtetit që nuk është pjesë e tri pushteteve dhe Kryesuesi i KGJK-së që është zyrtari më i lartë administrativ, rangohen para Kryetarit të Gjykatës Supreme.
Ndërsa prokurorët e shtetit janë ranguar shumë më lartë se gjyqtarët e Gjykatës Supreme, derisa Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit ka pagë më të lartë se gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe gjithë prokurorët e niveleve ekuivalente me gjykatat, kanë koeficient më të lartë se sa gjyqtarët.
Ndaj, kryetari Hasani dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme kanë vendosur që t’i drejtohen Kryeministrit, Presidentes, Ministrisë së Administratës Publike dhe ambasadave në vend, në mënyrë që të mos lejohet nëpërkëmbja e gjyqësorit.