Me ftesë të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, z. Sylë Hoxha, kryetari i Gjykatës Supreme, Dr. Sc. Fejzullah Hasani ka marrë pjesë në konferencën rajonale me temë, “Sfidat në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën Jug-Lindore”
Prishtinë, 5 dhjetor 2014 – Me ftesë të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, z. Sylë Hoxha, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Dr. Sc. Fejzullah Hasani ka marrë pjesë në konferencën rajonale me temë, “Sfidat në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën Jug-Lindore”, organizuar nga Prokuroria e Shtetit. Në fjalimin e tij të rastit, z. Hasani ka pohuar para të pranishmëve se krimi i organizuar është një sfidë e madhe e sigurisë. Duke përmendur llojet e krimit të organizuar, kreu i Supremes, ka potencuar se rritja e dukurive kriminale në shoqëri, në mënyrë të paevitueshme çon në shumë probleme, dhe natyrisht krijon parakushtet për të destabilizuar sigurinë e shtetit, shkatërrimin dhe prishjen e rregullit shoqëror, e në raste ekstreme, mund të bllokojnë plotësisht funksionimin e shtetit dhe të helmojnë çdo qelizë të shoqërisë.
“Padyshim, krimi i organizuar sot nuk është i kufizuar vetëm në kufijtë kombëtar të shtetit, por ai vazhdimisht zgjerohet dhe thur rrjetet e veta me degë në shumë vende të huaja. Dhe këtu pajtohemi të gjithë se globalizimi ka transformuar rrënjësisht aktivitetet kriminale”, ka vënë në pah kryetari, duke shtuar se ky trend nuk ka gjasa të ngadalësohet, gjë që faktohet edhe në raportet e rëndësishme ndërkombëtare.
Sipas kryetarit Hasani, nuk duhet mohuar faktin se edhe krizat ekonomike kanë ndikim të theksuar në organizimin e grupeve kriminale, shpërndarjen e tyre dhe shndërrimin në organizata më të qëndrueshme financiarisht.
Numri një i pushtetit gjyqësor në vend, është i bindur se kriminelët dhe organizatat kriminale shfrytëzojnë dobësitë e çdo sistemi, “p.sh. kufijtë jo mirë të siguruar, sistemet gjyqësore jo efikase, policinë e korruptuar, etj., duke krijuar kosto sociale, kryesisht përmes shfrytëzimit të individëve apo të dhunës, si dhe kosto ekonomike, kryesisht përmes vjedhjeve, mashtrimeve tatimore ose falsifikime, që në afate kohore të caktuara ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe dobësimin e vendeve apo regjioneve”. Në këtë sfidë, sipas z. Hasani, megjithatë, Kosova ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të luftuar veprimet e paligjshme, përmes krijimit të strategjive kombëtare, avancimit të kornizës ligjore, bashkëpunimeve me vendet e rajonit e botës etj..
Kryetari Hasani ka përmendur ligjet që mundësojnë luftimin e fenomeneve negative, por ka shtuar faktin se suksesi në parandalimin e krimit të organizuar si një nga kërcënimet më serioze në botën moderne sot, është i mundur vetëm përmes angazhimit sistematik, të planifikuar dhe të koordinuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. “Synimi ynë si shoqëri dhe si shtet, është që të bëhemi një partner i rëndësishëm dhe pjesë e pandashme e përpjekjeve ndërkombëtare kundër krimit të organizuar. Dhe, në luftën kundër krimit të organizuar, partneriteti është i nevojshëm, duke pasur parasysh natyrën globale të sfidës”. Edhe në këtë drejtim, ai ka përmendur bashkëpunimet me karakter rajonal e ndërkombëtar, për të cilat janë lidhur edhe marrëveshje.
“Masat e ndërmarra, strategjitë, bashkëpunimet rajonale, legjislacioni, etj, përkundër faktit që nuk kanë arritur të sjellin efektet e dëshiruara, megjithatë, një progres është arritur, dhe kjo është vlerësuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën (Raportin e Progresit)”.
“Sundimi i ligjit kërkon partnerë”, pohoi dr. sc. Hasani duke shtuar se “zbatimi i ligjit kërkon angazhim dhe përkushtim nga të gjithë. Gjyqësori i Kosovës ka përkushtimin, është i zotuar dhe ka gatishmërinë t’u dal zotë çdo thirrje në luftë kundër të gjitha dukurive negative, që shkojnë në funksion të avancimit të sundimit të rendit dhe ligjit, dhe krijimit të një ambient sa më të favorshëm për qytetaret e saj”.
Në këtë konferencë, fjalime kanë mbajtur edhe z. Sylë Hoxha, U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës, z. Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, z. Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, znj. Tracey Ann Jacobson, ambasadore e SHBA-së në Kosovë, z. Thomas Gnocchi, U.D. i shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Adriatik Llalla, kryeprokuror i Shqipërisë, z. Dalibor Zidanić, përfaqësues i Prokurorisë së Kroacisë, z. Marko Zvrlevski, kryeprokuror i Maqedonisë, z. Denis Zvrko, zv/prokuror i Prokurorisë Themelore, Mali i Zi, z. Zvonko Fišer, kryeprokuror i Sllovenisë etj..