Rregullohet infrastruktura për lëndët civile, përmbarimore

Rregullohet infrastruktura për lëndët civile, përmbarimore

Të enjten, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Dr. Sc. Fejzullah Hasani ka pritur në takim z. David Greer, drejtor i Programit CLE të USAID-it, me ç’rast është njoftuar me rezultatet e punës së këtij programi në lëmin e zvogëlimit të lëndëve civile përmbarimore

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_1822_843173.JPG

Prishtinë, 4 dhjetor 2014 – Të enjten, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Dr. Sc. Fejzullah Hasani ka pritur në takim z. David Greer, drejtor i Programit CLE të USAID-it, me ç’rast është njoftuar me rezultatet e punës së këtij programi në lëmin e zvogëlimit të lëndëve civile përmbarimore. 

Në takim ishin të ftuar edhe kryetari i Gjykatës së Apelit, njëherësh anëtar i KGJK-së, z. Salih Mekaj, z. Muharrem Shala, anëtar i Këshillit dhe znj. Valdete Daka, po ashtu anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. 

Greer ka renditur fushat në të cilat ky program është fokusuar, duke shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen që gjykatat kanë ofruar në lidhje me procesin e përmbarimit të lëndëve. 

“Më e rëndësishmja e projektit tonë është që të zvogëlojmë numrin e lëndëve të pazgjidhura, përmbarimore. Detyra që na ka dhënë USAID është që të zvogëlojmë numrin e lëndëve të vjetra, por ne po punojmë me të gjitha lëndët, pasi siç e dini, problemet me përmbarimin janë të shumta”, është shprehur Greer. 

Në takim u vu në pah fakti se para pesë vitesh, kur kishte nisur ky projekt, gjykatat nuk kanë pasur informata për debitorët, ku jetojnë, dhe si rrjedhim nuk kanë pasur mundësi që t’u qasen atyre. 

Me ndihmën e USAID CLE, ka filluar ndërtimi i infrastrukturës se si të gjenden debitorët dhe një ndër të arriturat është krijimi i regjistrit të llogarive bankare, ku gjykatave u është mundësuar gjetja e llogarive bankare të debitorëve, të cilët kanë llogari dhe deri më tash më shumë se 12.000 llogari janë të bllokuara.  

“Bllokimi dhe përmbarimi me llogari bankare është shumë më i suksesshëm sesa dalja në teren dhe konfiskimi i pronës apo aseteve të ndryshme të debitorëve”, ka nënvizuar z. Greer. 

Fusha e dytë ku programi në fjalë është fokusuar ka qenë gjetja e punëdhënësve të këtyre debitorëve. Në bashkëpunim me KGJK-në dhe MPB-në, përkatësisht me Agjencinë për Regjistrim Civil,  janë gjetur numrat personal të debitorëve, kjo pasi taksat dhe kontributet që paguajnë të punësuarit në Kosovë, janë të identifikuara përmes numrave personal. “Me ARC-në kemi punuar dhe na kanë gjetur 16 mijë numra identifikues të debitorëve. Jemi duke punuar që të gjenden edhe mbi 130 mijë numra të tjerë”, ka bërë me dije drejtori i programit USAID CLE. 

Z. Greer ka ngrehur si shqetësim para kryetarit Hasani dhe të pranishmëve të tjerë cështjen e evidencave jo të sakta të lëndëve përmbarimore, pasi ka pasur raste kur janë raportuar më pak se që realisht janë. Ai shtoi se në disa gjykata, kanë gjetur se, ndoshta në 80 për qind të rasteve, nuk u është dorëzuar fare debitorëve, propozimi i kreditorëve për përmbarim.

Si shembull ai ka marrë Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku gjatë programit të kaluar janë identifikuar 41 mijë lëndë përmbarimore, të pakryera. 

Sidoqoftë, kryerja e 21 mijë raste civile përmbarimore është cilësuar si sukses nga të pranishmit. “Dhjetë mijë raste janë të gjitha të paguara”, rezultat, të cilin, Greer thotë se nuk e kanë pritur. 

Nëse gjithçka shkon sipas planit, nga janari pritet funksionalizimi i një sistemi të përsosur, sipas standardeve evropiane, ku përmbarimi në llogaritë bankare dhe ndalesat në të ardhurat personale, do të jetë një punë shumë e lehtë.

Të pranishmit u pajtuan se pas këtyre ndryshimeve, shumica e debitorëve do ta paguajnë vet borxhin. Sepse do të jetë e pakëndshme llogaria e bllokuar. 

Z. Greer ka njoftuar kryetarin Hasani dhe atë Mekaj që së shpejti do të organizohet një fushatë sensibilizuese e opinionit, ku do të përfshihen të gjithë akterët e këtij segmenti, me qëllim që debitorët të informohen për favoret që iu sjell pagesa me kohë e borxheve që kanë, për të shmangur pagesat shtesë. 

Në fund të takimit, z. Grere u ka dorëzuar solemnisht tabletat, kryetarit Hasani, kryetarit Mekaj, gjyqtarëve Shala e Daka. Këto tableta janë me data-bazën e krijuar nga USAID CLE ku janë përfshirë shënimet e lëndëve përmbarimore për të gjitha gjykatat themelore dhe degët e tyre. 

Kryetari Hasani ka falënderuar z. Greer dhe ka premtuar mbështetjen e tij të pakursyer në këtë drejtim.